PDK-LDK pajtohen për harmonizimin e Buxhetit 2017

Prishtinë | 22 Nën 2016 | 16:20 | Nga

Pas dështimeve katër herë radhazi për të diskutuar të projektbuxhetin e vitit 2017, i njëjti pritet që nesër të diskutohet në Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Financa. Kryetari i këtij komisioni, Naser Osmani, i ka thënë Radio Kosovës se partnerët e koalicionit tashmë janë pajtuar për harmonizimin e buxhetit për vitin 2017.

“Ne kemi diskutuar me partnerin e koalicionit dhe jemi dakorduar që të bëhen disa precizime në buxhet, fjala është për investime të përgjithshme dhe besoj që të mërkurën do të procedohet në Komisionin për Buxhet dhe Financa, do të vije ministri që të raportojë lidhur me detajet e buxhetit dhe besoj që komisioni, pasi të dëgjojë ministrin dhe pas diskutimit mes vete, ta votojë dhe ta procedojë për kuvend në seancën e radhës”, tha ai.

Edhe Partia Demokratike e Kosovës, e cila më herët nuk ishte e pajtuar me versionin aktual të projektbuxhetit, konfirmon se koalicioni qeverisës është pajtuar për ndryshime në buxhet. Megjithatë, anëtari i Komisioni për Buxhet dhe Financa nga PDK-ja, Shukri Buja, thekson se për këtë parti është i pa pranueshëm versioni aktual.

“Jemi ende në konsultime dhe duke e konsoliduar buxhetin në marrëveshje me partnerët e koalicionit që të mos kemi probleme me buxhetin. Por besoj që ka me u kry mirë buxheti, por jo në këtë formë që është, por në çfarë do të pajtohemi ne partnerët e koalicionit” , tha Buja.

Ndërkohë, dy partneret e koalicionit, PDK dhe LDK, mohojnë se buxheti mund të jetë shkaktar për përçarjen e koalicionit dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme. Naser Osmani, nga LDK, thotë se shtyrja e buxhetit ka ardhur për shkak të çështjeve të projekteve që kanë të bëjnë me dobishmërinë në komuna të caktuara për interes të Kosovës. Ndërsa, Shukri Buja, i cili është më i zëshmi në PDK që kërkon prishjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, potencon se ka shumë çështje të tjera që duhet shkuar në zgjedhje por nuk është çështja e buxhetit që mund ta përçajë koalicionin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme