PDK mban mbledhje të Kryesisë, Memli Krasniqi udhëheq shtabin zgjedhor për 7 qershor

Prishtinë | 06 Maj 2026 | 18:36 | Nga Ekonomia Online

Partia Demokratike e Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt të Kryesisë, ku është diskutuar për zhvillimet politike në vend dhe përgatitjet për Zgjedhjet e Përgjithshme të 7 qershorit.

Në këtë mbledhje, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka vlerësuar kontributin e deputetit Ferat Shala, i cili ka vendosur të mos jetë pjesë e garës zgjedhore.

“Shprehim mirënjohje për deputetin e deritanishëm Ferat Shala, duke vlerësuar lart kontributin e tij shumëvjeçar për PDK-në dhe institucionet e vendit”, thuhet në njoftim.

Sipas PDK-së, Shala do të vazhdojë angazhimin e tij brenda strukturave të partisë si anëtar i Kryesisë.

Në mbledhje është diskutuar edhe për mobilizimin e strukturave të partisë për regjistrimin e votuesve në diasporë.

“U diskutua për mobilizimin e plotë të të gjitha strukturave të partisë për regjistrimin e votuesve dhe përkrahësve të PDK-së në mërgatë”, thuhet më tej.

Po ashtu, Kryesia ka vendosur që ish-kryetari Memli Krasniqi të udhëheqë shtabin zgjedhor dhe fushatën e partisë.

“Vendoset unanimisht që Memli Krasniqi ta udhëheqë shtabin zgjedhor dhe fushatën e Partisë Demokratike të Kosovës”, thuhet në vendim.

PDK thekson se do të jetë e hapur për personalitete të reja që duan të jenë pjesë e listës zgjedhore dhe se hyn në garë me “vizion të qartë dhe besim për të ardhmen e Kosovës”.

Të ngjashme