Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Dega në Prishtinë, ka kritikuar qeverisjen aktuale të kryeqytetit, për mungesën e kolektorit të ujërave të zeza në lagjen Kalabria dhe zvarritjen e vendosjes së tij nga qeverisjet e deritanishme komunale, raporton Ekonomia Online.
Një konferencë për media nga kjo parti u tha se mungesa e kolektorit të ujërave të zeza në lagjen Kalabria rrezikon shëndetin e qytetarëve dhe funksionimin e bizneseve
Asambleisti i PDK-së në Prishtinë, Leutrim Retkoceri e konsideroi të pafalshme që të gjitha qeverisjet komunale që kanë udhëhequr deri tani me Prishtinën ua kanë kthyer shpinën qytetarëve dhe i kanë lënë ata të përballen me qindra probleme.
“Po shohim këtu lagjen Kalabria ku qytetarët e saj janë lënë nën kundërmimin e erërave të ujërave të zeza. Premtime të pafundme, i janë dhënë kësaj lagjeje nga të gjitha partitë që kanë udhëhequr me kryeqytetin, si nga LDK-ja ashtu edhe nga LVV-ja. Ndërsa, qeverisja aktuale karakterizohet me zvarritje të pafundme të punimeve, ku 180 ditë të caktuara për secilin projekt të nisur nuk përfundojnë para 3 apo 8 viteve.”
Asambleistja e PDK-së Suzana Vuqitërna Kika tha se mosveprimi nga ana e komunës për vendosjen e kolektorit po e rrezikon jetën e fëmijëve, shëndetin e qytetarëve, shtëpitë e tyre dhe funksionimin e bizneseve në lagjen Kalabria.
“Unë jam e shqetësuar për fëmijët e kësaj lagjeje që dalin të luajnë dhe shkojnë në shkollë në këtë periudhë kur ka reshje të shpeshta të shiut. Ata rrezikojnë të bien në gropat e thella me ujë dhe paramendojeni se çfarë mund të ndodhë.
Kjo gjendje është tejet e rrezikshme për shëndetin e secilit banor të lagjes Kalabria, sepse ekziston rreziku i përhapjes së infeksioneve ose ndonjë epidemie pikërisht nga kundërmimi i ujërave të zeza.”
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin edhe qytetarë të kësaj lagje, të cilët shprehën shqetësimin e tyre për rrezikun që u kanoset çdo ditë.
Banori i lagjes Kalabria, Ismet Cani ka thënë se në këtë lagje problem më i madh momental i qyteti të Prishtinës është rrezikimin e shëndetit të njerëzve sidomos për shkak të kundërmimeve të rënda.
“Unë si qytetar po falës si përfaqësues i kësaj lagje. Në lagjen Kalabria është problem më i madh momental i qytetit të Prishtinës i cili në vete përmban rrezikimin e shëndetit të njerëzve sidomos për shkak të kundërmimeve të rënda. Ne kemi pasur premtime që nga fillimi i mandatit të parë të kryetarit aktual i cili nuk ka ndërmarrë diçka konkrete. Ne kemi bërë kërkesa dhe jemi ankuar por asnjëherë nuk janë marrë parasysh. Mos veprimi i personave të autorizuar për eliminimin e rrezikut të qytetarëve është vepër penale”, ka thënë ai.
PDK në Prishtinë kërkon nga qeverisja komunale që ta përfundojë kolektorin mbi lumin Mat dhe lumin Prishtina brenda këtij viti.