Sekretari i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi, thotë se nuk do të ndalen dhe se presidenten Vjosa Osmani do e dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese, për shkarkimin e Valdete Dakës nga pozita e kryetares së KQZ-së.
Gjoshi tha se lënda është duke u përgatitur dhe shumë shpejt ajo do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese.
“Juristët e Partisë Demokratike kanë vlerësu se ka shkelje në rastin e shkarkimin të zonjës Daka. PDK-ja ka fol me partitë tjera opozitare, kemi zotim të një pjese të opozitës se do ti japin nënshkrimet. Lënda është duke u përgatitur dhe kur ta kemi gati do ta dërgojmë në Gjykatë. Ne jemi të interesuar ta dërgojmë këtë lëndë në Gjykatën Kushtetuese, nëse edhe zonja Daka nuk e ka përcjellë në rrugë tjera siç është Avokati i Popullit” tha Gjoshi për “Gazeta Blic”.
Ndërkohë edhe subjekti i tjetër opozitar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka shprehur gatishmërinë për t’i dhënë nënshkrimet për dërgimin e kësaj çështjeje në Gjykatën Kushteuese.
LDK-ja përmes Shefit të Grupit parlamentar, Arben Gashi , ka thënë se do të presin vendimin e Avokatit të Popullit për të parë si do të veprojnë më tej.
U.d e shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila tha ditë më parë se vendimi i presidentes Osmani ka qenë në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe normat ligjore.
Një ditë pas shkarkimit, Ish-kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka, tha në një konferencë për media se se do t’i ndjek të gjitha rrugët ligjore për ta kundërshtuar shkarkimin.
“Në qoftë se ka mundësi do t’i drejtohem edhe Gjykatës Kushtetuese. Do t’i shqyrtoj të gjitha mundësitë dhe duke marrë parasysh që edhe vetë jam gjyqtare, i di do punë juridike, do t’i drejtohem gjykatës kompetente në këtë rast”, ka deklaruar Daka.
Vendimi i presidentes Vjosa Osmani, për shkarkimin e Valdete Dakës, nga posti i kryetares së KQZ-së, ngjalli reagime të mëdha.
Partitë opozitare dhe shoqëria civile, e quajtën këtë veprim si tendencë e presidentes Osmani, për kapjen e institucioneve të vendit.