Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), nëse vazhdon që t’i shpërndajë faturat e energjisë me rritje, raporton Ekonomia Online.
Ai ka thënë se falë PDK-së, vendimi i ZRrE-së është shpërfaqur anti-ligjor dhe si i tillë nuk duhet të implementohet.
“Zotëri Kurti nuk ka arritur të japë për krizë të madhe. As nuk është menaxhuar ngritja e çmimit. Falë PDK-së është pezulluar vendimi i ZRrE-së për shtrenjtim të energjisë elektrike dhe zotëri Kurti nuk ka dhënë zgjidhje. Inflacioni ka qenë 10 për qind. Bordi i ZRRE po vepron një anshëm duke tarifuar qytetarët pa bazë ligjore. Nëse ndodh kjo do t’iu bëjmë kallëzim penal dhe këtë njerëz do të përfundojnë në burg. Vendosja e tarifave është veçse haraç. T’i tarifojnë qytetarët me tarifa të vjetra”, tha Tahiri.
Ndërsa për mundësinë që qytetarët ta tërheqin një pjesë nga fondi i kursimeve pensionale, Tahiri ka kërkuar përkrahje edhe nga mazhoranca. Kjo sipas tij do ta ndihmonte sado pak jetën e qytetarëve.
“Ne kemi proceduar me projektligj. Besoj që edhe VV-ja duhet ta përkrahë një iniciativë të tillë sepse 30 për qind e trustit do ta zbuste jetën e qytetarëve”, tha Tahiri.