Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, bashkë me kandidatin e PDK-së për Kryetar të Ferizajt, Agim Aliu, sot kanë shpalosur programin për zhvillimin e ekonomisë në Komunën e Ferizajt.
Që një ekonomi të rritet në mënyrë të shpejtë dhe të qëndrueshme, Veseli ka thënë se nevojitet një sektor prodhues i konsoliduar, prandaj prioritet do të jenë politikat që forcojnë bizneset prodhuese dhe nxisin eksportet vendore.
Kreu i PDK-së ka thënë se ky subjekt politik ka besim të madh tek shpirti ndërmarrës dhe punëtor i qytetarëve të Ferizajt.
Ai ka përmendur edhe projektin për ndërtimin e spitalit në Ferizaj. “Brenda dy viteve do të përfundojë spitali në Ferizaj”, ka thënë Veseli.
Ndërsa, kandidati për Kryetar të Ferizajt, Agim Aliu, theksoi se do të ulë barrën tatimore në mënyrë që bizneset të kenë mundësi të forcohen dhe të hapin vende të reja të punës. “Do t’i rishikoj zonat tatimore dhe në kuadër të politikave fiskale, nga shtatori i vitit 2018, do ta uli për 10 për qind tatimin në pronë”, ka thënë ai.
Aliu ka premtuar edhe një Fond të Punësimit për të stimuluar ekonominë e Komunës së Ferizajt dhe për të hapur vende të reja pune.
“Krijimi i vendeve të reja të punës për të rinjtë është bosht i programit tonë për ekonominë e Ferizajt”, ka thënë Aliu.
Ai ka përmendur edhe dy pika të veçanta programore në kuadër të Fondit të Punësimit, si subvencionimin e bizneseve me mjete monetare dhe subvencionimin e kamatave të bankave komerciale, si një mundësi e jashtëzakonshme për bizneset e Ferizajt.
Gjithashtu, kandidati i PDK-së për të parin e Ferizajt, Agim Aliu, ka premtuar edhe krijimin e zonave të reja ekonomike, si dhe funksionalizimin e atyre ekzistuese.
Ai ka thënë se turizmi dhe bujqësia në Komunën e Ferizajt do mbështetet në mënyrë të veçantë, derisa në Jezerc ka premtuar se do të ndërtojë edhe Parkun Memorial të Jezercit, përfshirë edhe ndërtimin e bunkerëve dhe istikameve, duke e bërë kështu Jezercin një vend edhe më atraktiv për turistë.
Kandidati për Kryetar të Ferizajt, Agim Aliu, ka premtuar edhe krijimin e parkut teknologjik rajonal në Ferizaj, si dhe një zyre të veçantë për zhvillim ekonomik, e cila do të përkujdesët vetëm për investitorët potencialë në Komunën e Ferizajt.
Kreu i PDK-së bashkë me kandidatin Agim Aliu, pas konferencën në fabrikën “New Geris”, janë takuar edhe me qytetarë në qendër të Ferizajt.