Ish-diplomati kosovar, Lulzim Peci, ka kërkuar veprime nga shteti i Kosovës, pas kërcënimit të hapur që presidenti turk i ka bërë kryeministrit të Kosovës.
Ai ka thënë si hap të parë duhet tërhequr në konsultime Ambasadori kosovar në Ankara.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka kërcënuar hapur kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, për shkarkimin e dy personave të cilët ishin përgjegjës për operacionin që arrestoi ‘gylenistët’. Erdogan në një tubim të madh të partisë së tij, i ka thënë Haradinajt se do të japësh llogari për këtë.
Ndërsa, Peci tash drejtor i KIPRED-it, ka thënë se pas kësaj deklarate të Erdoganit ndaj kryeministrit te Kosovës, Qeveria duhet ta tërheq në konsultime Ambasadorin e Kosovës në Ankara dhe se paku t’i dërgoj demarsh ambasadores turke në Prishtinë, transmeton Telegrafi.
Ai ka paralajmëruar zhvillime të tjera që na presin pas këtyre të fundit.
“Uji i Watergate kosovar – Erdogangate po nxehet”, ka thënë Peci.
Presidenti turk i ka thënë Haradinajt, se kosovarët, popull vëlla i Turqisë, nuk e meritojnë një kryeministër si ai.