Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci në një intervistë për Ekonomia Online, tha se nuk janë kundër vettingut në drejtësi, por nuk e mbështesin formën e proklamuar nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Sipas tij, vettingu i menjëhershëm do të sillte dëme për sistemin gjyqësor në përgjithësi, duke shtuar se edhe Komisioni i Venecias nuk është për që ky proces të zhvillohet në këtë formë.
“Qëndrimi jonë ka qenë prej fillimit i qartë, domethënë ne nuk jemi kundër vettingut por jo në vettingun qysh është paramenduar dhe është proklamuar prej Qeverisë në kuptimin e asaj për shkak se me të vërtetë kemi vërejta që nëse bëhet një vetting i menjëhershëm, mundet me pas pasoja tjera. Kishin me shkaktuar dëm në sistemin gjyqësor në përgjithësi”.
“Edhe Komisioni i Venecias nuk e parashikon një vetting të menjëhershëm, për një kohë të gjatë është bërë një analizë e rishikimit funksional të sundimit të ligjit dhe aty asiston edhe Komisioni i Venecias me opinionin e tyre që duhet të bëhem disa rishikime”.
Kryetari i Gjykatës Supreme tha se lëndët e korrupsioni i trajtojnë me prioritet, kjo edhe pas vendimit të Këshillit Gjyqësor të vitit 2012.
Kurse sa i përket kualitetit Peci thotë se në vazhdimësi kanë probleme në raport me aktakuzat e përpiluara nga Prokuroria dhe punën e gjykatave.
“Prej vitit 2012 për shkak se kam qenë kryesues i Këshillit Gjyqësor është në fuqi vendimi i Këshillit Gjyqësor që lëndët e korrupsionit në përgjithësi duhet me qenë lëndë me prioritet. Nuk dallon nivelin e lartë të ulët apo të mesëm, po në përgjithësi është vendim që duhet me i dhënë rëndësi shumë të madhe. Sa i përket kualitetit, në vazhdimësi kemi probleme, kemi pasur vërejtje në akuzat e përpiluara nga Prokuroria, po në të njëjtën kohë ka vërejtje edhe në raport me punën e gjykatave”.
Peci tha se brengë e sistemit gjyqësor në vazhdimësi kanë rastet që kthehen në rigjykim. Prandaj ai thotë se janë duke shqyrtuar mundësinë për ndryshime të legjislacionit në mënyrë që gjykatat të mos kenë të drejtë që ta kthejnë një rast më tepër se dy herë në rigjykim.
“Ka qenë në vazhdimësi kritikë po edhe brengë e sistemit gjyqësor se shumë raste po kthehen në rigjykim. Jemi duke e shqyrtuar edhe mundësinë ndoshta edhe ndryshime të legjislacionit në kuptimin që gjykatat e nivelit më të lartë mos kanë drejtë më tepër se dy herë me kthyer rastin”.
Ai ka bërë të ditur se aktualisht kanë në punë 488 lëndë, kurse kanë arritur që t’i përfundojnë 383, përderisa nga ky numër kanë trashëguar 406 lëndë nga viti i kaluar.
Peci ka sqaruar se aktualisht janë 18 gjyqtar duke e llogaritur edhe vetë kryetarin. Sipas tij janë duke i trajtuar rastet në mënyrë intensive.
“Sa i përket Gjykatës Supreme, për momentin numri i lëndëve që gjykata ka pasur në punë gjatë periudhës raportuese ka qenë 789, janë trashëguar 406 lëndë prej vitit të kaluar. Janë kryer 383 edhe kanë mbetur edhe 488 lëndë. Faktikisht Gjykata Supreme me 18 gjyqtarë që jemi për momentin me mua si kryetar, jemi duke i trajtuar rastet në mënyrë urgjente. Në gjykatën Supreme nuk kemi problem sa i përket trajtimit të rasteve të lëmisë penale, civile dhe administrative”.
Kurse në Dhomën e Posaçme, Peci tha se janë në punë mbi 15 mijë lëndë, përderisa vitin e kaluar kanë kryer 3 000 lëndë, raporton EO.
“Sa i përket Dhomës së Posaçme, ajo ka qenë një gjykatë shumë e ngarkuar. Faktikisht ka startuar me 16 mijë e 27 lëndë. Për momentin kanë mbetur edhe 15 mijë 201 lëndë. Faktikisht gjatë vitit të kaluar janë kryer më tepër se 3 000 mijë e diçka lëndë. Mirëpo prapë se prapë numri i lëndëve në këtë gjykatë është numër i madh. Ne po shpresojmë që ndoshta me një periudhë përafërsisht qysh e kam llogaritë për pesë vjeçare mundemi ndoshta edhe me përfunduar procesin e privatizimit që është edhe kompetencë e kësaj gjykate”.