Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, në seancën plenare në Kuvendin e Kosovës, ka përmbledhur punën dyvjeçare të ministrisë që drejton, raporton Ekonomia Online
Ministri Peci i ka vlerësuar këto dy vjet si një periudhë me plot suksese dhe një periudhë kur ministria është kthyer në shërbim të fermerit të Kosovës.
“Parat e taksapaguesve tashmë shkojnë tek fermerët e vërtetë dhe realë. Për herë të parë, programi vjetor i pagesave direkte 2022 u ekzekutua në afat rekord brenda vitit”, tha Peci, në seancën ku po diskutohet puna e Qeverisë Kurti II.
“Kemi përkrahur fermerët me subvencione me 110 milionë euro. Nëse e krahasojmë me vitin 2020, rritja e subvencioneve ka arritur në 216%. Në vitin 2021 janë realizuar pagesa 9.6 milionë euro… Për herë të parë, programi i subvencioneve është përmbushur qind për qind”.
“Në kohën e krizës globale energjetike, dhe të pandemisë Covid, shumë fermerë në shumë vende të botës masovikisht lëshuan veprimtarinë e tyre bujqësore. Ndërsa ne, përkundër kësaj rritëm sipërfaqet e mbjella dhe rendimentin, falë mbështetjes tonë”.
Sipas ministri që vjen nga radhët e Guxo, këndellja e ministrisë nuk ishte punë e lehtë.
“Ministria ishte e zhytur në korrupsion dhe borxhe, mungonte vizioni, strategjia e lidershipi i qartë. Mali subvencionohej për grurë, për bujqësi janë subvencionuar edhe varrezat. E njëjta parcelë subvencionohej me dhjetëra herë, e të mos flasim për manipulimet me traktorë e me asetet e tjera”.
“Me ardhjen tonë, ne vendosëm meritokracinë. Vetëm në vitin 2022, nga 70 milionë euro të distribuara tek fermerët, asnjë referencë nuk ka shkuar nga ministri dhe kabineti”.
Peci ka treguar se kanë rritur subvencionet për naftën dhe plehërimin. Gjithashtu janë kompensuar dëmet nga fatkeqësitë natyrore. “Në vitin 2020, vlera e kompensimit ka qenë 30%, e që ka arritur në 82%. Janë shtuar sigurimet bujqësore edhe për 6 kultura të tjera”.
Peci tha se kanë rritur vizitat kontrolluese, por edhe në përkrahje të fermerëve. “Personalisht kam zhvilluar 200 vizita te fermerët”.
Ai ka bërë të ditur se janë investuar mbi 4 milionë euro për të avancuar sistemin e ujitjes.
“Për herë të parë importi i perimeve është më i ultë -2.9 për qind se viti paraprak”.
Sipas Pecit, më përpara Ministria e Bujqësisë është përdorur si “sportel” për shpërblimin e militantëve partiakë.
“Duke promovuar transparencën, luftuam krimin dhe korrupsionin, demaskuam e denoncuam zhvatësit e uzurpatorët; paraja publike tashmë shkon vetëm në adresë të fermerëve”.
Ai ka treguar se kanë proceduar mbi 400 lëndë në prokurori kundër keqpërdoruesve dhe zhvatësve.
Një tjetër punë që kreu i MBPZhR-së e ka veçuar, ishte mbjellja e më shumë se 1 milion fidanëve, që është bërë në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Zyrën e Presidencës.