Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Faton Peci, ka njoftuar se gjatë ditës së hënës ka autorizuar sekretarin e Ministrisë për ndërprerjen përfundimtare të qerasë ku ndodhen zyrat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
Në një intervistë për Ekonomia Online, ministri Peci ka folur edhe për deklaratat e zyrtarëve të AAK-së, të cilat i quan kërcënim të hapur.
Ai gjithashtu ka njoftuar se kontrata me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës është shkëputur përfundimisht, për shkak të mungesës së mirënjohjes dhe korrektësisë në komunikim.
“Me revidimin e kontratës ka qenë edhe mundësi që të rikthejmë rreth 600 metra katrorë dhe me qenë se kemi qenë shumë korrektë dhe gjenerozë, dhe me qenë se ata kanë pasuar me jomirënjohje dhe jokorrektësi në komunikim me Ministrin e Bujqësisë, sot ne mëngjes Ministria ka marrë vendim që përfundimisht të shkëputet tërësisht kontratën me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës”, thotë Peci.
Peci shprehet i bindur se në një periudhë të shkurtër i gjithë objekti ku gjendet AAK-ja do të jetë në dispozicion të dikasterit që ai e drejton.
“Varësisht prej dispozitave edhe siç është e paraparë në një periudhë tranzitore, për një periudhë të shkurtër kohore i gjithë objekti do të jetë në shfrytëzim për Ministrinë e Bujqësisë, për titullarin e institucionit. Edhe mua me vjen keq realisht prej periudhës së pasluftës objekti i Ministrisë së Bujqësisë nuk është shfrytëzuar nga titullari i institucionit dhe në anën tjetër ne përballemi me një qira shumë të lartë aktualisht në objektin që e ushtrojmë veprimtarinë tonë”, thotë ai.
Ndërsa deklaratën e ish-zëdhënësit të AAK-së, Lulzim Blaka “Mirë se vjen o trim; Të presim siç është zakoni”, Peci e sheh kërcënim të hapur. Thotë se ky është një komunikim sipas traditave të Dukagjinit (rajon nga vjen lideri i AAK-së).
“E para unë kam thënë që shihemi të hënën për shkak se kishte kaluar afati kohor dhe thjesht ka qenë vendim imi dhe sugjerim imi për pjesën e ekzekutivit për të shkëputur këtë kontratë. Ai është një komunikim i një tradite në Dukagjin; mendoj që është kërcënim i hapur. Por, sido që të jetë për të gjithë ata që përçojnë mesazhe të tilla dhe që mendoj që kuptimin e kanë forcën ose guximin e ballafaqimit vandal, unë kam guximin intelektual dhe guximin me ndjek interesin publik të qytetarëve dhe të institucioneve”, u shpreh Peci.
E aksionet për lirimin e objekteve që janë nën menaxhim të këtij dikasteri, thotë se kanë vetëm një qëllim: Sistemimin e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë për shkak të mungesës së hapësirave në objektin aktual.
“E para që duhet të them është që Ministria e Bujqësisë ka vështirësi serioze me hapësirat për zyrtarët që i posedon e një numër i tyre tashmë është secilën herë duke u rritur për shkak të arritjes së objektivave që i synojmë ne në sektorin e Bujqësisë. E dyta e i kam dëgjuar deklaratat e zyrtarëve të AAK-së edhe në mundemi me fakte me i demantuar për shkak se kontrata paraprake ka qenë hapësira me të cilën ata e kanë shfrytëzuar afër 1 mijë metër katror. Ndërsa është revidu kontrata duke i liruar dikun rreth 411 metra katrorë, por edhe 200 të tjera do të thotë bëhet fjalë për pjesën e bodrumit që ka qenë e shfrytëzueshme prej tyre por nuk ka qenë pjesë e kontratës”, u shpreh Peci.