Ministria e Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka shtruar të hënën “Darkën e Lamës”, raporton Ekonomia Online.
Në fjalën e tij, ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka theksuar rëndësinë e kësaj darke të bekuar, siç e ka quajtur ai, “në vitin më të begatë të bujqësisë”.
Sipas Pecit, kjo darkë përmbledh nderimet për Zotin dhe punën e fermerëve e frytet e bujqësisë.
Ai ka thwnw se kjo traditë ka një kuptim të thellë historik, duke e lidhur atë me amanetet e presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugovws.
“Jemi mbledhur para kësaj darke të bekuar në vitin më të begatë të bujqësisë. Darka e Lamës përmbledh nderimet për Zotin dhe frytet dhe punën tonë. Në fund të çdo vjeshte, shqiptari i lashtë i këtij gadishulli shtronte frytet, ku shtronte një darkë, falënderonte Zotin për bereqetin dhe ekzistencën e jetës”.
“Këtë e shënojmë sot si vlerësim të trashëgimisë sonë, kjo darkë paraardhësit tanë e kanë shtruar me shekuj, por meritat i takojnë presidentit tonë të parë, Ibrahim Rugova, për sa i përket datës së lindjes së tij, kur shtronte Darkën e Lamës duke shpresuar se këtë hap do ta marrin edhe të tjerët”.
“Kemi shumë për të shënuar sot përmes kësaj feste, një nga amanetet e Rugovës ishte sigurimi i bukës së motmotit, kjo u mundësua nga përkrahja e Qeverisë, begatia dhe djersa e fermerëve që na kanë nderuar sot”, ka deklaruar Peci.
Ai ka përmendur gjithashtu se siguria është një përgjegjësi e përbashkët për një të ardhme paqësore dhe të qëndrueshme për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Begatia pa unitet është e brishtë dhe uniteti është forca jonë më e madhe. Kosova është një realitet i pakthyeshëm dhe i pacenueshëm sovran dhe demokratik si asnjëherë më parë. Sot është kohë e mirë që siguria nuk është vetëm një koncept abstrakt, por është përgjegjësi e përbashkët për të siguruar një të ardhme të qetë”.
“Siguria është sigurim të bukës së motmotit, një shtet i fortë është një besim i ndërsjellët i shtetit me popullin. Atdheu është amaneti i të parëve tanë,” ka thënë Peci.