Pëgjysmohet ekspedita e Kosovës drejt Everestit, shkaku i parave

Prishtinë | 26 Mar 2017 | 15:01 | Nga

Klubi Alpin “Prishtina” thotë se i ka kryer të gjitha përgatitjet për ekspeditën e Kosovës për ngjitjen e Malit Everest dhe se ekspedita do të niset më 27 mars.

Por, në mungesë të financimit, nga katër pjesëtarë sa ishte planifikuar të jenë pjesë e kësaj ekspedite, është marrë vendim që ky numër të reduktohet në dy.

“Ekspedita e Kosovës në Everest e Klubit Alpin Prishtina, po niset e përgjysmuar. Kjo për shkak të mungesës së financimit. Ekipi ishte i motivuar dhe i përgatitur në të gjitha aspektet, i determinuar dhe i bashkuar në qëllimin final, përfaqësimin e denjë të Kosovës në Mount Everest; çdo njëri anëtar i Ekspeditës e kishte rolin e vet në Ekip, por në ndërkohë u shfaqen probleme që patjetër do të diskutohen nga opinioni sportdashës”, thuhet në një njoftim të postuar në faqen zyrtare të Klubin Alpin Prishtina.

Megjithatë, Klubi thotë se këtë Projekt madhor të vendit tonë do ta shtyjnë me gjithë forcën, pavarësisht pengesave që janë shfaqur dhe mund të shfaqen ditët e ardhshme.

“Përgjysmimi i Ekipit tonë do mbesë njollë në alpinizmin e vendit tonë”, theksohet më tej në njoftim.

“Një ekip e tillë duhet të përkrahet në të gjitha mënyrat, të inkurajohet dhe të miratohet në mënyrën më sportive, pikërisht për shkak të iniciativës, përpjekjeve dhe rreziqeve që i ndërmerr në emër të Shtetit të Kosovës. Sidoqoftë, ne jemi të përgatitur fizikisht, shpirtërisht dhe psikikisht, dhe me padurim e presim ditën kur do ta fillojmë ngjitjen në Mount Everest, gjithnjë duke e ditur se të gjithë Miqtë e Klubit Alpin Prishtina dhe i gjithë Komuniteti i Mirëfilltë Alpin, është shpirtërisht me ne”, thonë drejtuesit e Klubit Alpin Prishtina.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme