Komuna e Pejës duket se i ka marrë për zemër kritikat e Zyrës Kombëtare të Auditimit për pasqyrën financiare për vitin e kaluar, ku në mesin e gjetjeve ka qenë edhe realizimi i ulët i të hyrave vetjake.
Nga të hyrat e përgjithshme të planifikuara vitin e kaluar prej 4 milionë e 429 mijë euro, kanë qenë të realizuara rreth 3 milionë e 52 mijë euro, që kanë të bëjnë me të hyrat nga tatimi në pronë, të hyrat nga lejet e ndërtimit, taksat administrative, të hyrat nga veprimtaritë e bizneseve, të hyrat nga qiraja.
Kurse nga tatimi në pronë i faturuar gjatë vitit 2017, që ishte 2 milionë e 9 mijë euro, ishin arkëtuar vetëm 777 mijë e 183 euro, apo vetëm 39 për qind të mjeteve të faturuara. Mirëpo, në gjashtëmujorin e parë të vitit 2018, siç tregon drejtori i Financave, Jeton Abazaj, Komuna e Pejës ka realizuar të hyra rekorde, duke inkasuar 560 mijë euro më shumë se periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Plani në total për sivjet i të gjitha të hyrave është 4 milionë e 66 mijë euro, kurse vetëm për gjashtëmujorin e parë, siç thotë Abazaj, janë realizuar 2 milionë e 16 mijë euro të hyra.