Rrugët në Rugovë mbulohen nga bora, Komuna e Pejës ende pa operator për pastrimin e tyre

Prishtinë | 14 Dhj 2020 | 18:46 | Nga Ekonomia Online

Në fshatrat e Rugovës gjatë fundjavës rrugët lokale janë mbuluar me borë dhe ashtu të mbuluara janë ende, pasi komuna nuk ka dërguar asnjë operator për t’i pastruar ato, pavarësisht thirrjes së banorëve për pastrim.

Mirëpo, komuna nuk ka dërguar asnjë operator, pasi ende nuk ka operator të kontraktuar për mirëmbajtje dimërore të rrugëve në 14 fshatrat e Rugovës. “Pjesa e madhe e rrugëve në Rugovë janë mbuluar nga bora e akulli. Disa pjesë të rrugëve janë bërë shumë të rrezikshme për qarkullimin e banorëve por edhe të turistëve. Jemi në gjysmën e muajit dhjetor dhe komuna akoma nuk ka zgjedhur dikë t’i mirëmbajë ato”, ankohet banori i fshatit Dugaivë, njëherit edhe përfaqësues i shoqërisë civile në Pejë, Veton Mujaj.

Në fakt komuna ka shpallë tenderin, por ende nuk kanë përfunduar procedurat e nisura më 19 nëntor kur edhe është shpallur tenderi.

Për Mujajn është e pakuptueshme sesi komuna shpallë kaq vonë tenderë për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve, kur siç thotë ai, dihet sa zgjasin procedurat tenderuese derisa të kontraktohet një operator.

“Kjo do të duhej të bëhej më herët, duke ditur klimën që mbretëron në atë trevë. Reagimi i komunës duhet të jetë i menjëhershëm, që të mos vijmë deri te ndonjë tragjedi që pastaj nuk ia vlen as të veprohet”, kritikon ai Komunën.

E në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, pohojnë se janë me kohë me tenderin që është shpallur.

“Vonë nuk është shpall tenderi, meqenëse ne e kemi pas një tender valid, të cilit i kalon kontrata më 17 dhjetor. Ligji nuk e lejon me i pas dy tenderë paralel të aspektit të njëjtë. Kjo është arsyeja”, pohoi drejtoresha e Shërbimeve Publike, Xhevahire Çeku-Kelmendi.

Operatorë të kontraktuar për mirëmbajtjen e dimërore të rrugëve të fshatrave të Rugovës nuk ka pasur tash e katër vjet. Tenderi trevjeçar që ishte shpallur në fund të vitit 2016 për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në komunën e Pejës, ishte anuluar nga Komuna, e cila pjesë e tenderit për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve në fshatrat e Rugovës e kishte fuzionuar në kuadër të Lot 2, që ishte për mirëmbajte dimërore të rrugëve në fshatrat në rrafshin e Pejës. Dhe atë vendim, atë vit komuna e kishte konsideruar të ligjshëm me arsyetimin se fshatra janë ato në rrafsh edhe ato në Rugovë.

“Për Rugovë nuk kemi pas operator të përzgjedhur e as ndonjë kontratë me operator për mirëmbajtjen e rrugëve të fshatrave të asaj treve. Kontrata e mëhershme e ka paraparë pastrimin e borës në territorin e komunës së Pejës. Në atë kontratë nuk ka qenë e cekur Rugova. Ka qenë mund të them gabim teknik. Kontrata ka qenë për pastrimin e borës në territorin e Komunës së Pejës. Edhe Rugova është në këtë territor. Edhe pse nuk ka qenë e cekur Rugova në kontratën e kaluar, rrugët e fshatrave në Rugovë vazhdimisht janë pastruar”, ka shtuar drejtoresha e Shërbimeve Publike.

Mirëpo, një gjë të tillë komuna nuk mund ta bëjë serish, ngase Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit, siç thotë Çeku-Kelmendi, ka kërkuar nga Komuna që për mirëmbajtjen e rrugëve të fshatrave të Rugovës të ketë një kontratë e veçantë, pasi ajo trevë gjendet brenda zonës së Parkut Kombëtar.

Rruga kryesore nga Peja deri në Boge, është segment rrugor i rrugës magjistrale M9 dhe kjo rrugë mirëmbahet nga operatori i kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës.

“Këtë fundjavë kemi pas thirrje që ka ra borë në Rugovë, që me shku me i pastru rrugët, mirëpo ne vetëm në raste emergjente jemi të detyruar më shku me i pastru. Për këtë sasi të borës sa ka rënë, nuk kemi mund të obligojmë një operator, sepse duhet paguar e duhet bërë një aneks kontratë. Prandaj u bëj thirrje qytetarëve të jenë të qetë, sepse gjithçka jemi me kohë”, shtoi drejtoresha Çeku-Kelmendi.

Tenderi i shpallur muajin e kaluar për mirëmbajtjen gjatë dimrit të rrugëve në Rugovë, si LOT 3, është pjesë e tenderit të shpallur për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve edhe në qytet (Lot 1) dhe në fshatrat e rrafshit të Pejës (LOT 2), me vlerën e parashikuar të kontratës për 12 muaj, prej 148 mijë e 900 euro për të tria LOT-et. LOT 1- 54 mijë euro, LOT 2 – 49 mijë e 500 euro dhe LOT 3 – 45 mijë e 400 euro.

Menaxheri i Zyrës së Prokurimit në Komunën e Pejës, Xhemë Berisha thotë se kontratat e vjetra kanë afatin deri me 17 dhjetor dhe se gjatë kësaj jave pritet që të kontraktohen edhe operatorët e ri për të tri LOT-et.

“Kemi pas shumë operatorë që kanë konkurruar dhe disa ditë na ka marrë kohë vlerësimi i ofertave. Operatorët fitues i kemi përzgjedh dhe sot (hënë) do të bëjmë njoftimin e operatorëve për vendimin e operatorëve të përzgjedhur për të tria LOT-et. Për LOT-in e parë për qytet është përzgjedhur operatori me ofertë prej 30 mijë e 600 euro. LOT-i dytë për fshatra i është dhënë operatorit me ofertë prej 34 mijë euro dhe LOT-3 për Rugovë është 35 mijë euro. Kontratat janë një vjeçare dhe kontrata me operatorët e përzgjedhur për secilin LOT parashihen të nënshkruhen brenda pesë ditësh”, thotë Berisha.

Ai beson se procedurat janë gjitha në kohë, por pa kalkuluar ankesat e mundshme të ndonjërit prej operatorëve konkurrues. Berisha pranon se në rast se do të ketë ankesa, atëherë procedurat do të zgjasin derisa të nënshkruhen kontratat.

“Nëse nuk do të ketë ankesa, atëherë brenda katër-pesë ditëve jemi të gatshëm për të vepruar. Por, nëse ka ankesa mund të zgjasin procedurat dhe më gjatë”, thotë Berisha.

Operatorët së pari kanë drejtë ankese në Zyrën e Prokurimit të Komunës, e pastaj në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Këto ankesa të mundshme, mund të marrin kohë me javë e muaj të tërë, derisa të kontraktohet operatori, prandaj nëse ndodhin ankesa të tilla, nuk përjashtohet edhe mundësia që dimri të kalojë pa kontraktim të operatorit për mirëmbajtjen dimërore të rrugëve të fshatrave të Rugovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme