Komuna e Pejës paguan në gjykata 750 mijë euro dënime për gjashtë muaj

Prishtinë | 16 Tet 2019 | 09:45 | Nga Ekonomia Online

Opozita në Pejë sërish ka ngritur shqetësimet e saj për shumat e larta që Komuna po dënohet nga gjykatat. Njëjtë sikur vitet e kaluara edhe këtë vit dënimet e shqiptuara janë të larta gjashtëshifrore dhe duket se është bërë trend që Komuna të mos kalojë një vit e të mos dënohet.

Vetëm në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, Komuna është dënuar nga gjykatat me rreth 750 mijë euro. “Vetëm gjatë viteve 2014 – 2017 dhe në 6-mujorin e parë të vitit 2018 Komuna ishte dënuar mbi 150 herë nga Gjykatat e Kosovës, me shumën prej rreth 4.5 milionë euro. Për fat të keq, ky trend i dënimeve të këtij pushteti qiellor nuk ka të ndalur meqenëse, në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2018 dhe gjashtëmujorin e parë të vitit 2019, ky pushtet i Komunës është dënuar edhe me rreth 1 milion euro”, thotë Reshat Nurboja, kryetar i Alternativës në Pejë.

Sipas tij, nëse vazhdon kështu me këtë dinamikë të dënimeve si është duke shkuar, kjo qeverisje komunale rrezikon ta përmbyllë mandatin e saj të dytë me 10 milionë euro dënime.

“Pashmangshëm do të rezultojë në fund të këtij mandati të këtij pushteti me rreth 10 milionë euro dënime të Komunës së Pejës nga Gjykatat e Kosovës, nga e cila shumë rreth 2 milionë euro do të jenë dënime për shpenzime specifike të gjykatës, siç është kamata për vonesë të pagesave të dënimeve dhe shpenzimet e tjera specifike të gjykatave”, thotë Nurboja.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme