Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë në mars të vitit 2019 do të bëhet me Qendër të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.
Ky investim mundësohet nga Ministria e Inovacionit dhe Ndërrmarësisë. Sipas ministrit të këtij dikasteri Besim Beqaj, kjo qendër do të ketë një rëndësi mjaftë të madhe në sektorin e ekonomisë, raporton Ekonomia Online.
“Brenda këtij viti kemi shënuar një rritje mjaftë të madhe për ndërmarrësi dhe inovacion. Për vitin e ardhshëm kemi katër milion për programin të cilin jemi pjesë e saj. Jemi në proces të ndërtimit të parkut për inovacion dhe ndërmarrësi për trajtim në Prizren. Sfida do të jetë që ta mbushim me ide dhe projekte. Javën e kaluar kemi bërë përurimin e punimeve për inovacion dhe ndërmarrësi. Jemi sot këtu dhe kemi planifikuar që në vitin e ardhshëm universiteti i Haxhi Zeka të bëhet me një Qendër për Inovacion dhe Ndërmarrësi”, tha Beqaj.
Ndërsa rektori i Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë Fadil Millaku tha se universiteti i tyre ka planifikuar që kjo qendër të inaugurohet në kuadër të fakultetit të biznesit.
“Universiteti jonë i ka pesë fakultete. Peja si regjion ka shpirt të ndërmarrësisë. Në kuadër të u universitetit tonë kemi një hapësirë prej shtatë ari tokë dhe aty do ndërtohet fakulteti i arteve. Ne si universitet kemi formuar bordet këshillëdhënëse bashkë me to kemi bërë programet studimore. Ne kemi menduar që kjo qendër e inovacionit që të jetë në kuadër të fakultetit të biznesit”, tha Millaku.
Pas takimit mes Beqajt dhe Millakut, aty u mbajt edhe një diskutim i hapur me studentët e Universitetit të Pejës “Haxhi Zeka”.
Beqaj njoftoi se Qeveria e Kosovës për vitin e ardhshëm do ndajë 12 milion euro për inovacion dhe ndërmarrësi.
“Jemi këtu sot për të bërë një hap të madh i cili do mundësoj ta jetësojmë Qendrën për Inovacion që rinia jomë të kanë hapësirë të kenë start up të veta që do financohen nga Ministria. Po mundohemi ta zhvillojmë konceptin e ekonomisë në vend. I vetmi burim që mundëson këtë janë të rinjtë dhe të rejat. Qendra për inovacion do ndihmon shumë në këtë drejtim. Do ketë një bashkëpunim të gjerë ndërmjet institucioneve. Jemi duke fol për zhvillime shumë të mëdha dhe këto zhvillime do i bëjnë ata të cilët kanë ide dhe besojnë në vetvete”, shtoi Beqaj.
Sipas Beqajt është një grup të rinjve ne Prishtinë që para dy vitesh kanë qenë pjesë “start up” prej kësaj kanë përfituar një shumë të madhe parash.
“Ne brenda këtij viti kemi hyrë në bashkëpunim me gjermanë ku do synojmë zhvillimin e punësimit dhe për këtë program kemi nda 1.2 milion euro. Ne do ta bëjmë këtë qendër po e ajo duhet të popullohet Në mars jemi të gatshëm ta përfundojmë këtë projekt”, pohoi Beqaj.
Ndër tjerash, ministri Beqaj tha se ministria është duke bashkëpunuar me GIZ-in gjerman ku do krijohet një program për zhvillimin e punësimit dhe shifra e këtij programi pritet ta kapë vlerën e 2.4 milion eurove.