Plane të mëdha kishte skuadra e Pejës për këtë edicion, si në basketbollin e Kosovës ashtu edhe atë ndërkombëtar. Pas kupës së fituar më 15 shkurt të këtij viti, Peja synim kishte titullin e Superligës së Kosovës dhe atë të Ligës Ballkanike (BIBL).
Mirëpo, këto plane nuk u realizuan për shkak të përhapjes së koronavirusit që detyroi Federatën e Basketbollit të Kosovës (FBK), të marrë vendimin më të padëshirueshëm. Shkaku i kësaj pandemie, FBK-ja, të martën, dy javë pas pezullimit të të gjitha garave, mori vendim për anulimin e garave në Superligën e Kosovës në të dyja konkurrencat – meshkuj e femra. Me vendim të Bordit të FBK-së, nuk do të shpallen kampionët e këtij edicioni në Superligë. Ndërkohë, për garat e tjera do të merret një vendim gjatë këtij muaji nëse do të vazhdojnë apo anulohen, varësisht prej situatës me koronavirusin.
Megjithatë, Peja mbetet fituesja e vetme e edicionit të anuluar nga FBK-ja.
Kryetari i KB Pejës, Art Gashi, ka thënë se gjasat që ekipi i tij ta mbyllte edicionin me titullin e kampionit ishin të mëdha. Ai insiston se Peja ka pasur ekipin më të mirë këtë edicion.
“Peja ka pasur ekipin më të mirë dhe në ndeshjet e fundit, edhe lojën më të mirë. Këtu ka pak hapësirë për dikë të thotë ndryshe. Duke shikuar këto kualitete mendoj që do të ishim edhe kampion në fund të kampionatit. Është për keqardhje që nuk do të kemi mundësi t’i ndjekim ndeshjet finale në “Karagaç”, sepse do të ishin të zjarrta. Qyteti i Pejës ishte i etur për basketboll këtë sezon”, ka pranuar Gashi të mërkurën për gazetën.
Në fakt, Peja këtë edicion u rikthye në gara pasi edicionin e shkuar e pushoi aktivitetin për shkak të borxheve të mëdha ndaj FIBA-s. Me kthimin e Pejës këtë edicion, edhe Superliga e Kosovës ishte dukshëm më interesante, pasi kishte investime te të gjitha klubet, në veçanti te pejanët. Në ekip u rikthye edhe Dardan Berisha pas gati shtatë vjetësh dhe të gjithë haptazi deklaruan se synimi i Pejës këtë edicion ishte rrëmbimi i të gjithë trofeve të mundshëm.
Deri para anulimit të garave, në Superligën e Kosovës ishin zhvilluar 24 xhiro. Peja ishte e katërta në tabelë me 39 pikë të grumbulluara, tri më pak se Sigal Prishtina që ishte në krye të tabelës.