Trajneri Dragan Radoviq nuk do të jetë në gjendje ta udhëheq KB Pejën në ndeshjen kundër Rahovecit për shkak se ka rezultuar pozitiv me Covid-19, ka njoftuar të dielën klubi pejan.
Gjithashtu, në njoftim thuhet se pozitiv ka dalë edhe asistenti i Radoviqit, Petrit Zeqiri. Peja sot prej orës 17:00 do të luajë në palestrën “Mizahir Isma” kundër Rahovecit, ndeshjen e xhiros së 23 të Superligës së Kosovës në basketboll.
“Kjo sezon për ne por edhe gjitha klubet tjera ka qenë e vështirë në kushtet të cilat është luajtur dhe vazhdon të jetë e tillë. Sot, ekipi udhëton pa trajnerët Dragan Radoviq dhe Petrit Zeiqiri, të dytë kanë rezultuar pozitiv me Covid-19. Ekipi udhëhiqet sot nga kapiteni i saj, Dardan Berisha. Lis Shoshi dhe AJ Walton do jenë të përfshirë në formacion”, thuhet në njoftimin e KB Pejës. Peja është e katërta në tabelë me 34 pikë, një më pak se Rahoveci që zë vendin e tretë. Ndërkohë, kjo xhiro do të mbyllet me duelin ndërmjet Ponte Prizrenit dhe Vëllaznimit, i cili luhet nga ora 19:00 në palestrën “Sezai Surroi” të Prizrenit.