Peja regjistron dy vdekjet e para nga COVID-19

Pejë | 14 Kor 2020 | 20:10 | Nga Ekonomia Online

Një grua mbi 60 vjeçe nga Komuna e Deçanit dhe tjetra 77 vjeçe nga Peja janë pacientët e parë në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës që kanë humbur betejën me koronavirusin.

E para ka ndërruar jetë të hënën, kurse tjetra të martën në mëngjes.

Zëdhënësi i këtij spitali, Naim Sahiti, ka thënë për KOHËN se tashmë të ndjerat kanë pasur sëmundje shoqëruese, derisa kanë edhe një numër të madh pacientësh që po marrin trajtim në Repartin Infektiv dhe në Spitalin e Mushkërive.

“Aktualisht janë 61 pacientë duke u trajtuar me Covid-19. Prej tyre 11 janë me oksigjenoterapi. Një rast e kemi pasur pak të rëndë dhe fatkeqësisht sot e ka humbur jetën, një 77-vjeçare nga Peja. Ndërsa gjendja e pacientëve të tjerë është më stabile”, ka thënë ai.

Në Repartin Infektiv, siç tha Sahiti, janë përmbushur kapacitetet dhe nëse vazhdon shtimi i numrit të pacientëve me këtë intensitet, spitali nga java tjetër do të lirojë reparte të tjera për trajtimin e pacientëve me Covid-19.

“Sipas planit tonë, diku gjysma e kapacitetit llogarisim se ka mundësi të lirohet që me mund me i krye shërbimet edhe për pacientë të tjerë. Ajo i bie diku 200 shtretër”, ka shtuar Sahiti.

I tërë ky numër i shtuar javëve dhe ditëve të fundit ka ndodhur nga mosrespektimi i masave mbrojtëse nga qytetarët, disa prej të cilëve apelojnë te bashkëqytetarët e tjerë që t’i zbatojnë masat mbrojtëse për hir të të gjithëve.

“Kisha me i preferua gjithkujt me i respektua këto masa. Ishalla ndahemi me qekaq. Për mua gjendja nuk është aspak e mirë…”, ka thënë Qazim Taraku, banor i Pejës.

E vendimet e reja të Qeverisë dhe ashpërsimi i masave, përfshirë ato ndëshkimore me gjoba prej 500 deri në 1000 mijë euro për mosbartje të maskës, kanë ndikuar te qytetarët e Pejës, pasi të martën rrugëve dhe lokaleve shumica e tyre bartnin maska.

E në Policinë e Pejës treguan vendosmërinë për zbatimin e vendimeve të marra nga Qeveria e Kosovës dhe, sipas zëdhënësit Fadil Gashi, kanë staf të mjaftueshëm për implementim të planit në luftimin e pandemisë.

“Policia do të jetë në çdo vend, në sheshe, në rrugë, në parqe, në udhëkryqe, në rrugë magjistrale, në fshatra, dhe gjitha vendimet e Qeverisë, respektivisht të Ministrisë së Shëndetësisë do të implementohen në përpikëri”, ka deklaruar zëdhënësi i Policisë Rajonale të Pejës, Fadil Gashi.

Me 12 rastet e reja të regjistruara deri të hënën mbrëma në Komunën e Pejës numri i të infektuarve nga fillimi i pandemisë ka shkuar në 226 persona të infektuar. Prej tyre tetë veta kanë vdekur dhe mbi 90 raste janë aktive.

Të ngjashme