Udhëheqësit në Kinë përsëritën parimin “një Kinë”, pasi votuesit në Tajvan rizgjodhën presidenten Tsai Ing-wen, e cila thotë se Tajvani është i pavarur.
Tsai, 63 vjeçe, shënoi fitore bindëse në zgjedhjet e fundjavës.
Ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, tha se parimi “një Kinë” është de facto “konsensus” midis komunitetit ndërkombëtar.
“Ky konsensus nuk do të ndryshojë fare për shkak të zgjedhjeve lokale në Tajvan dhe nuk do të ndryshojë për shkak të fjalëve dhe veprimeve të gabuara të disa politikanëve perëndimorë”, tha Wang.
Kina e sheh Tajvanin si një provincë të shkëputur që përfundimisht do të bëhet pjesë e saj, por shumë tajvanezë duan një komb të veçantë.
Shtetet e Bashkuara nuk e njohin Tajvanin.
Megjithatë, sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, dhe diplomatë të tjerë të lartë nga Britania dhe Japonia kanë lëshuar deklarata duke uruar Tsain për rizgjedhje.
Në fjalimin e fitores, Tsai bëri thirrje për rinisjen e bisedimeve me Kinën, por tha se ajo shpreson se Pekini e kupton Tajvanin dhe se njerëzit e tij nuk do t’i nënshtroheshin frikësimit.
Regjimin në Pekin po e sfidojnë edhe protestat anti-qeveritare në Hong Kong – rajon që i është dorëzuar Kinës nga Britania, në vitin 1997.