Pelegrinët serbë nuk do të shkojnë në Gjakovë. Lajmin e ka konfirmuar për KTV-në, Kristë Gjokaj, zëdhënës i Policisë në Gjakovë, por edhe pelegrinët serbë për mediat në Serbi.
“Heqim dorë nga vizita në Gjakovë sepse nuk dëshirojmë të futemi në një qark urrejtjeje e tensionesh. Nuk dëshirojmë ekses. Kësaj here serbët nuk janë të poshtëruar, janë të poshtëruara institucionet ndërkombëtare, institucionet e Prishtinës, organizatat joqeveritare, të cilat as pas 20 vjetësh nuk janë në gjendje t’iu sigurojnë serbëve që në Gjakovë, të qetë, me dinjitet, t’i shënojnë festën e pagëzimit, pashkët, krishtlindjet”, është shprehur Gjokica Stanojeviq, kryetar i shoqatës të serbëve të zhvendosur nga Gjakova, raporton RTS.
Nga mëngjesi në afërsi të Kishës Ortodokse kanë protestuar qytetarët e Gjakovës që kishin dalë kundër ardhjes së pelegrinëve serbë. Protestuesit nuk iu besojnë deklaratave zyrtare dhe po vazhdojnë të qëndrojnë para Kishës.