Zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, thotë se gjatë ditëve të ardhshme, Shtetet e Bashkuara do të shpallin sanksione ekonomike “më të ashprat dhe më agresivet” kundër Koresë Veriore.
Këtë deklaratë zoti Pence, i cili e udhëheq delegacionin amerikan në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore në Pjongçang të Koresë Jugore, e cila mbahet pasnesër, e ka bërë sot në Japoni, pas takimit me kryeministrin, Shinzo Abe.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës së shpejti do tashpallin rundin më të ashpër dhe më agresiv të sanksioneve ekonomike deri tash kundër Koresë Veriore”, tha Pence.
Zyrtarë amerikanë thanë se sanksionet e reja pritet të implementohen para përfundimit të Olimpiadës Dimërore, aty kah fundi i muajit shkurt.
Zëvendëspresidenti Pence nuk e ka përjashtuar takimin potencial me zyrtarë të Koresë Veriore në Lojërat Olimpike Dimërore, duke u thënë reporterëve se “do të shohim se çka do të ndodhë”.