Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në një intervistë për televizionin shqiptar “Shenja”, ka komentuar sërish vizitën e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti në dy komunat me shumicë shqiptare – Tetovën dhe Çairin në Shkup, duke vlerësuar se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, mund të jetë ofenduar nga ajo vizitë.
Pendarovski ka thënë se vizita e Kurtit me rastin e riemërtimit të një rruge me emrin Adem Demaçi është shfrytëzuar për të “luajtur kartën e “Shqipërisë së madhe”.
“Kishte një hartë të ‘Shqipërisë së Madhe’ dhe elementi tjetër që më ngatërroi ishte Kasami, i cili regjistroi një video ku thoshte – mirë se erdhe në kryeqytetin e shqiptarëve, duke iu drejtuar Kurtit sikur të ishte kryeministri i shqiptarëve, që është fyerje për Ramën, mendoj se nuk duhet të përdorim këtë lloj retorikë nacionaliste”, tha Pendarovski.
“Sipas meje, shteti maqedonas ka reaguar ndaj ngjarjeve në Kosovë”, shtoi Pendarovski.
Ai tha se ndjenjat e popullit maqedonas janë specifike ndaj Serbisë, që sipas tij ka të bëjë me jetën e tyre të gjatë së bashku në ish- Jugosllavi.
“Është e vërtetë që disa subjekte politike po përpiqen të riciklojnë sjelljen e autoriteteve jugosllave në dekadën e fundit. Ne imituam me sukses Millosheviçin dhe politikën e tij ndaj shqiptarëve, sepse narrativa ishte se ai mund t’i mposhte shqiptarët vetëm me dhunë. Pas 1991 ndryshoi narrativa dhe pastaj dhe pas Marrëveshjes së Ohrit, kam frikë se disa njerëz me impulse të ish-Jugosllavisë mendojnë se kjo është mënyra e vetme që shqiptarët të disiplinohen dhe të solidarizohen me botën serbe. Më në fund duhet të zbatojmë teorinë e presidentit Gligorov – se duhet distanca”, tha Pendarovski.