Pendarovski vizitoi pjesëtarët e kontingjentit të RMV-së në kuadër të KFOR-it

Prishtinë | 25 Jan 2024 | 21:20 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në kuadër të vizitës së punës në Republikën e Kosovës sot në Pejë ka qëndruar për vizitë në Komandën rajonale – Perëndim të KFOR-it. Shefi i shtetit është takuar me pjesëtarët e kontingjentit të Maqedonisë së Veriut dhe zhvilloi takim me komandantin e Komandës rajonale – Perëndim, kolonelin Françesko Ferara.

Siç informon kabineti i Pendarovskit, në takimin me pjesëtarët e kontingjentit të Maqedonisë në misionin e KFOR-it, ku janë të pozicionuar 65 pjesëtarë të Armatës së RMV-së është biseduar për obligimet dhe përgjegjësitë e tyre në kryerjen e detyrave, si dhe për aktivitetet e tyre momentale.

“Presidenti Pendarovski e vlerësoi profesionalizmin dhe përkushtimin me të cilin ushtarët tanë i kryejnë kërkesat dhe detyrat e parashtruara dhe theksoi se ata përfaqësojnë nderin, profesionalizmin dhe moralin e të gjithë pjesëtarëve të Armatës së Maqedonisë së Veriut”, thuhet në njoftim.

Ai theksoi se misioni i tyre ka një vlerë të shtuar sepse ata shërbejnë në një vend që është fqinj dhe miku ynë dhe me të cilin kemi lidhje të thella historike, kulturore dhe ekonomike, ndërsa tha se prania e tyre në Kosovë i thellon dhe forcon edhe më shumë ato marrëdhënie.

Presidenti Pendarovski u ka uruar shëndet dhe kryerje të suksesshme të përgjegjësive dhe detyrave anëtarëve të kontingjentit të Maqedonisë në misionin e KFOR-it.

“Në takimin me komandantin e Komandës rajonale – Perëndim kolonel Françesko Ferara, presidenti Pendarovski ishte informuar për qëllimet dhe për aktivitetet e përgjithshme të kësaj komande në mbështetje të paqes dhe sigurisë në Republikën e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Pendarovski shprehu mbështetjen për misionin e KFOR-it, duke theksuar rëndësinë e saj për stabilitetin në Kosovë dhe në gjithë rajonin dhe theksoi se me pjesëmarrjen e 65 pjesëtarëve, RMV si anëtare e NATO-s jep një kontribut aktiv në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Presidenti i RMV-së më herët gjatë ditës takoi presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti.

Të ngjashme