Pengjet izraelite të liruara nga Hamasi, rrëfejnë përjetimet e tyre

Prishtinë | 24 Tet 2023 | 17:33 | Nga Ekonomia Online

Tetëdhjetë e pesë vjeçarja Yocheved Lifschitz dhe Nurit Cooper, 79 vjeçe, janë dy pengjet e fundit të liruara nga Hamasi që u rrëmbyen bashkë me bashkëshortët e tyre nga vendbanimi Nir Oz. Përmes vajzës së saj, zonja Lifschitz tregon për momentin e përballjes me Hamasin.

“Nëna ime po tregon një rrëfim tmerrues. Ajo thotë se shumë, shumë njerëz, një lumë njerëzish, depërtuan përmes rrethimit, rrethimit së sigurisë, që kushtoi 2 miliardë e gjysmë shekel dhe që nuk ndihmoi fare. Nëna thotë se e hipën në pjesën e pasme të motoçikletës, me këmbë të lidhura në njërën anë… Pastaj ka kaluar nëpër fusha të lëruara, me burra që ngisnin motoçikleta përpara dhe pas saj. Gjatë rrëmbimit e godisnin me shkopinj. Pasi arritën tek tunelet, ecën në këmbë për disa kilometra nëpër tokë të lagur. Kishte një rrjet të madh tunelesh nën tokë, duket si një rrjet merimange,” tha zonja Lifschitz përmes vajzës së saj Sharone.


Vajza e zonjës Litfshitz thotë se nëna e saj ishte mbajtur me 25 pengje të tjera. Ajo megjithatë tha se nuk dinte për fatin e babait të saj dhe të pengjeve të tjera që dyshohet se po mbahen nga Hamasi.

“Nëna ime tha se është trajtuar mirë. Dhe se njerëzit ishin të sjellshëm me të. Nuk e dimë se si qëndron puna me 175 të rrëmbyerit e tjerë. Nuk mund të arrijmë në përfundimin nga kjo përvojë, se edhe ata janë në gjendje të mirë,” sipas zonjës Sharone Lifschitz.

Gjendja shëndetësore e dy pengjeve, sipas ekipit mjekësor në një spital të Tel Avivit ku ato u dërguan për trajtim pas lirimit, është përgjithësisht e mirë.

“Jemi të lumtur që i kemi këtu, janë mirë, familjet e tyre janë të gëzuara, janë njerëz të mirë, dhe gjendja e tyre është e mire në përgjithësi. Tani janë në dhomë me familjet e tyre, po hanë mëngjes,” tha ndihmësja mjekësore Eti Uziel.

Sipas Hamasit, dy pengjet izraelite u liruan me ndërmjetësimin e Egjiptit dhe për shkaqe humanitare dhe shëndetësore, sipas një deklaratëe të Brigadave al-Qassem, krahu i armatosur i Hamasit.

Por, Mark Regev, këshilltari i Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, i tha televizionit Sky News se trysnia diplomatike dhe ushtarake po detyron Hamasin të fillojë gradualisht lirimin e pengjeve.

“Hamasi nuk po i liron këta njerëz për shkak se paprimtas u shndërruan në humanitarë. Këta njerëz nuk janë humanitarë, ata janë vrasës gjakatarë. Dhe fakti që po lirojnë njerëzit ka të bëjë me trysninë që po bëjmë mbi ta. Dhe sa më shumë që rritet trysnia, besoj do të shohim më shumë të liruar,” deklaroi zoti Regev.

Ish udhëheqësi i Hamasit, Khaled Mashaal deklaroi për televizionin Sky News nga Katari, se miliantët do t’i lirojnë pengjet në këmbim të ndërprerjes së sulmeve të Izraelit në Rripin e Gazës.

“Nëse Netanyahu merakoset për sigurinë e tyre, Izraeli duhet të ndalojë agresionin, t’i jep fund gjenocidit, këtyre krimeve brutale të luftës që po kryhen çdo ditë. Vetëm dje 400 viktima brenda natës. T’i japin fund këtij agresioni dhe do të gjeni ndërmjetës si Katari dhe disa shtete arabe si Egjipti dhe të tjerë, që do të gjejnë mënyra për t’i liruar dhe do t’ua dërgojmë familjeve të tyre,” deklaroi ish udhëheqësi i Hamasit Mashaal.

Bashkëshortët e dy pengjeve, të rrëmbyer të njëjtën ditë, ende po mbahen nga Hamasi.

Dy pengjet e fundit të liruara me ndërmjetësimin e Egjiptit e çojnë në katër numrin e pengjeve izraelite të liruara nga Hamasi ndërkohë që lufta ndërmjet Izraelit dhe Hamasit hyri në ditën e 18. Izraeli ka njoftuar se Hamasi po mban të paktën 222 pengje izraelite dhe shtetas të tjerë të rrëmbyer gjatë sulmit të militantëve në vendbanimet në pjesën jugore të Izraelit. /VOA

Të ngjashme