Sindikata e Pensionistëve kontribut-dhënës nuk po pajtohet me Ligjin për organizimin sindikal, i cili i përjashton ata. Sipas sindikalistëve, problem tjetër është edhe mosdiskutimi i çështjes së fondeve të plaçkitura nga Serbia në dialogun ndërmjet dy shteteve.
Këto ankesa pensionistët i adresuan tek komisioni parlamentar për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, raporton Ekonomia Online.
Sylejman Meta nga Sindikata e Pensionistëve kontribut-pagues, tha se kërkesat e tyre po hasin në vesh të shurdhër.
“Jemi të themeluar në vitin 2002 të regjistruar në UNMIK. Që prej themelimin ne kemi halle dhe probleme të cilat mendojmë që edhe ju ka nevojë të i dini e ndoshta shumicën prej tyre i dini që kërkesat tona po hasin në vesh të shurdhër. Mesatarja e pensioneve kontribut-dhënësve është 77 euro prej themelimit tonë dhe kjo është një anomali që këta njerëz kanë kontribut për 40 vite”, tha Meta.
Pensionistët thonë se kanë probleme edhe me objektin dhe infrastrukturën ku qëndrojnë.
“Problemi tjetër është që objektit e pensionistëve që i kemi ndërtuar vetë, nuk kemi qasje aty, na jemi në baraka. Federata e pensionistëve ka kundërshtuar përjashtimin e pensionistëve me rastin e privatizimit të aseteve rreth 20 për qind”, u shpreh Meta.
Meta kërkoi nga komisioni që t’i marrin për bazë kërkesat e tyre, sipas tij, ministrat nuk po i kushtojnë vëmendje atyre.
“Vjen Ministri Abrashi dhe na thotë jepna pak hapësirë dhe ajo hapësirë po kalon shumë shpejtë. Ministri Skender Reçica, na ka dhënë menjëherë regjistrat e pensionistëve. I kam thënë Ministrit më vie keq që qenke në krye të informatikës në Kosovë. Ju si komision duhet me lutë kryeministrin të cilit ia kam bë kërkesën në nëntor nuk më thërret me u konsultuar. Ata nuk po na përkrahin neve dhe po luajnë me neve si maca me miun”, tha Meta, raporton Ekonomia Online.
Pasi Kryesia e Kuvendit ka proceduar tutje Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, komisioni ani pse e kishte në rend dite, nuk e ka shqyrtuar.
“Diskutimi lidhur me mosprocedimin nga Kryesia e Kuvendit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr.03/L-256; nuk do ta shqyrtojmë pasi që kryesia e ka proceduar javën e kaluar dhe nuk ka lënë vend”, tha kryetarja e komisionit, Albulena Haxhiu.