Pentagoni pret 90 ditë krizë në SHBA dhe kaos politik në disa vende

Prishtinë | 24 Mar 2020 | 20:12 | Nga Ekonomia Online

Pentagoni është duke llogaritur disa muaj krizë për shkak të koronavirusit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me një kthim në normalitet vetëm rreth muajve qershor ose korrik.

”Pentagoni po llogarit edhe rreziqet e kaosit politik në disa vende”, thanë sot zyrtarët e tij më të lartë.

”Bazuar në përvojën e vendeve tashmë të infektuara si Kina, Koreja e Jugut ose Hong Kongu, mendoj se duhet të përgatitemi për një periudhë të paktën disa mujore”, tha sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper gjatë një diskutimi virtual me forcat amerikane në të gjithë botën.

“Ju duhet të llogaritni 10, mbase 12 javë”, shtoi shefi i shtabit të përgjithshëm, gjenerali Mark Milley, i cili gjithashtu iu përgjigj pyetjeve të dërguara paraprakisht.

“Ne jemi duke llogaritur 90 ditë, bazuar edhe te vendet e tjera dhe, se çfarë mund të aplikojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo mbetet për t’u parë, “shtoi ai.

“Mund edhe të jetë korriku”, tha gjenerali Milley.

Dy zyrtarët më të lartë amerikanë të Mbrojtjes paralajmëruan se pandemia mund të destabilizojë disa vende, deri në atë pikë sa të paraqesin një kërcënim për SHBA.

“E gjithë kjo mund të çojë në kaos politik në disa vende. Ne duhet të mbetemi vigjilentë”, theksoi gjenerali Milley duke theksuar se mungesa e maskave, dorezave apo respiratorëve mund të ketë pasoja të rënda në disa vende.

”SHBA do të ndihmojë aleatët e saj në maksimum, por, për kundërshtarë të caktuar, e gjithë kjo mund t’i çojë ata të veprojnë (…) në një mënyrë të tillë që mund të ketë ndikim në sigurinë tonë”, theksoi Esper.

“Ne duhet të jemi shumë të vetëdijshëm për këtë dhe duhet të përgatitemi”, theksoi ai.

Të ngjashme