Ndërtesa e Pentagonit është vendosur në karantinë, ndërsa Departamenti i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara i ka ndaluar pothuajse të gjitha udhëtimet e brendshme për pjesëtarët e shërbimit ushtarak dhe punëtorëve civilë për shkak të përhapjes së Coronavirusit.
Duke filluar nga dita e hënë, anëtarët e shërbimit ushtarak do ta kenë të ndaluar udhëtimin brenda pjesëve të ndryshme të shtetit, përfshirë ndërrimin e përhershëm të stacionit apo transferimin e përkohshëm të detyrave.
Ndalimi i udhëtimeve do të vlejë edhe për punëtorët civilë dhe anëtarët e familjeve, të cilët janë të caktuar të qëndrojnë në ndërtesa ushtarake, shkruan “Daily Mail”.
Pentagoni njoftoi se zinxhiri komandues do të ofrojë përjashtime të kufizuara nga masat e reja në raste të rrethanave të jashtëzakonshme.
Vendimi për ndalimin e udhëtimeve do të mbetet në fuqi deri më 11 maj, ndërsa ndërtesa e Pentagonit do të vendoset në karantinë në mesnatën e së dielës.
Është marrë vendim edhe për anulimin e të gjitha tubimeve me shumë njerëz, përfshirë organizimet me rastin e pensionimit të ushtarakëve apo të ngritjes në detyrë.