Pentagrami dramatik i Haqif Mulliqit

Prishtinë | 06 Shk 2020 | 18:24 | Nga Adil Olluri

Duke e parë se dramaturgjia shqipe e Kosovës, veçmas ajo e fillimshekullit XXI, e vuan krizën e produksionit, çdo botim i një vepre dramatike përbën në vete një ngjarje kulturore në vendin tonë.
Kjo krizë e prodhimit vërehet në numrin e vogël të botimeve të teksteve letrare dramatike, por edhe në inskenimin e paktë të dramave vendore në teatrot kosovare.
Por, ka autorë që në këto vite kanë qenë prodhimtarë në fushën e dramaturgjisë.
I tillë është Haqif Mulliqi, autori dhe dramaturgu më i botuar dhe ribotuar në historinë e dramës shqiptare, si dhe më inskenuari në skenat teatrore shqiptare.

Mulliqi na vjen me një komplet të krijimeve të tij dramatike, në të cilin i ka përfshirë një sërë dramash, siç janë: Sistola, Si e mposhta Musolinin, Trenat, Gjakova, një luftë ndryshe dhe Një përkujtim në kafe-teatër.
Edhe pse në këtë komplet janë të përmbledhura veprat ndër më kryesorët të opusit të këtij autori, ai nuk e përmbledh tërë krijimtarinë dramaturgjike të Haqif Mulliqit, meqë në të nuk janë disa nga dramat që janë inskenuar dhe kanë ngjallur interesimin e publikut, si ta zëmë Një varr për majorin e mbretit, Parfumeria, Kosowars, Katër epoletat, etj.

Sistola shfrytëzon mitin e Gjergj Elez Alisë për ta krijuar dramën tragjike të dhunës që mund ta ushtrojë një pushtim i pamëshirshëm mbi të pushtuarit, të cilëve pos që ua shkatërron qytetin ku ata jetojnë, ushtron edhe diktat të papërshkrueshëm, duke tentuar që atyre t’ua ndalojë jo vetëm mendimin, por edhe heshtjen.

Si e mposhta Musolinin është një dramë komike që shpërfytyron pushtimin mashtrues dhe njeriun e mashtruar prej tij, i cili i yshtur nga nevojat e tij ekzistenciale bëhet besniku më i devotshëm i ideologjisë së pushtuesit, pa e njohur e as pa e kuptuar atë.

Trenat, për nga ana tematike, është më e ndjeshmja në kuadër të këtyre pesë dramave, meqë në të pasqyrohen pasojat e dhunimit të gruas në sy të burrit dhe maltretimit të tij në sy të gruas.
Kjo dramë është një rentgen shpirtëror i krajatave të një çifti të traumatizuar.

Trenat, si syzhe, ngjan në dramën Duke pritur Godonë të Samuel Beketit, meqë nëse Vladimiri dhe Estragoni të dramaturgut irlandez presin Godonë, Vini dhe Veni të dramaturgut shqiptar e presin “trenin” dhe“trenat” për ta shpëtuar frymën e tyre. Pra, të dyja i karakterizon shpresa për t’u liruar nga ankthi i pritjes së mërzitshme.

Gjakova, një luftë ndryshe është po ashtu një dramë tragjike, ku raporti mes rrëmbyesit (Policit serb) dhe robit të tij (Doktorit) është një raport çnjerëzor, sepse dhunuesi e trajton mirë viktimën jo për shkak të humanitetit të tij, por për shkak të nevojës së tij urgjente (nuk ka mjek tjetër në kohë lufte, që do t’i ndihmojë në lindjen e gruas së tij). Kjo dramë paraqet një fatkeqësi shqiptare, të pasqyryuar përmes një njeriu, ngaqë Doktori derisa ndihmon në lindjen e një fëmije, nuk e di në i ka gjallë apo jo fëmijët e tij.

Një përkujtim në kafe-teatër është një dramë e aktualitetit, që paraqet dy karaktere të dëshpëruarish nga e sotmja. Albani, një ish-luftëtar është i zhgënjyer nga trajtimi i padinjitetshëm që i bëhet atij dhe luftës çlirimtare nga njerëzit e kohës sonë, ndërsa Aureli, një pronar kafiterie, është i zhgënjyer për shkak të mosrealizimit të synimeve dhe ëndrrave të tij. Ata, edhe pse kanë halle të ndryshme, i lidhë një pikë e përbashkët: Si ta ballafaqojnë të tashmen, që vret ngadalë, pa bujë e pa zhurmë.
Përpos Sistolës që e karakterizon ligjërimi alegorik dhe nuancimi simbolik, ku drama sa mund ta shpërfaq totalitarizmin e pushtuesit, po ashtu mund ta shfaq edhe atë të një pushteti diktatorial, të gjitha dramat e tjera të Haqif Mulliqit i karakterizon grotesku, si temë dhe si qasje stilistike.
Karakteret e dramave të tij herë bëjnë veprime groteske, e herë kalojnë nëpër situata të tilla, si ta zëmë “mposhtin” Musolinin pa e njohur fare, bisedojnë për probleme të zakonshme bashkëshortore në një rrugëtim, në të cilin një fije e hollë peri e ndante jetën nga vdekja (Trenat), pa dashje të tyre qëllojnë në rrethana groteske, duke ndihmuar në ardhjen në jetë të një pasardhësi, ndërkohë që pasardhësit e tij mund të kenë vdekur në rrugën e ikjes (Gjakova, një luftë ndryshe), si dhe nuk lejohen të marrin pjesë në përkujtime dëshmorësh, edhe pse janë pjesëmarrës të tri luftërave çlirimtare, meqë organizimet e tilla i kanë marrë në dorë njerëz që pothuajse nuk i kanë njohur fare dëshmorët (Një përkujtim në kafe-teatër).

Siç mund ta shohim, këto pesë drama të Haqif Mulliqit i paraqesin para lexuesit ecejaket nëpër kohë të njerëzve dhe njeriut shqiptar, si dhe ballafaqimet e tij me pushtuesit e ndryshëm, duke filluar nga ai legjendar (Sistola), për të vazhduar me atë fashist dhe komunist jugosllav (Si e mposhta Musolinin), pastaj me pushtuesin serb (Trenat dhe Gjakova, një luftë ndryshe), për të përfunduarme pasojat e njeriut tonë nga lufta me pushtuesin e fundit (Një përkujtim në kafe-teatër).

Pra, sa i përket etnosit të tyre, këto krijime të tij janë drama tipike shqiptare. Kjo lëvizje në kohë të ndryshme nëpërmjet këtyre pesë dramave krijon atë që mund ta cilësojmë si pentagram dramatik, që shikuar sipas renditjes ndaj bindjen se është i menduar mirë.
Sa i përket modeleve dhe formacioneve stilistike të shkrimit letrar dramatik, mund të them se Trenat, Gjakova, një luftë ndryshe dhe Një përkujtim në kafe-teatër janë të shkruara sipas parimeve të dramës dhe teatrit të absurdit, ndërsa Sistola dhe Si e mposhta Musolinin sipas atyre të dramës dhe teatrit epik brehtian.

Ndërkaq, sa i përket hierarkisë së vlerave artistike të këtyre pesë dramave, Gjakova,një luftë ndryshe dhe Një përkujtim në kafe-teatër janë krijime të mirëfillta letrare dramatike, dhe po t’i krahasojmë me dramat e ndryshme të letërsisë shqipe, mund të themi se janë ndër dramat më të arrira të kësaj letërsie. E them këtë me bindje, sepse ato përmes dialogëve të shkruar bukur, ndërtimit të motivueshëm të karaktereve dhe veprimit koherent arrijnë të krijojnë tension dhe klimaks, të lakmueshëm për çdo vepër dramatike.
Përfundimisht, mund të them se botimi i një pjese të krijimtarisë së dramaturgut Haqif Mulliqi përbën një ngjarje të rëndësishme në jetën tonë kulturore e teatrore. /perpjekjashqiptare.com/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme