Brenda dhjetë vjetësh në Kosovë, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës kanë ndodhur 419 vrasje. Ndërkohë, vetëm gjatë janarit dhe shkurtit të këtij viti kanë ndodhur 5 raste të vrasjeve.
Zëdhënësi i Policisë, Bajram Krasniqi thotë për Radion Evropa e Lirë se në vitet e fundit numri i vrasjeve ka shënuar rënie.
“Derisa në vitin 2008 kanë qenë 45 raste të vrasje, në vitin 2010 numri i vrasje ka qenë më i lartë 59. Në vitin 2012 janë shënuar 50 vrasje dhe që nga ky vit, numri i këtyre rasteve ka shënuar rënie, ku në vitin 2017 kemi pasur 27 vrasje”.
“Motivet janë të ndryshme, por motivi përfundimtar i një vrasjeje zbulohet kur të përfundon rasti në organet e drejtësisë. Ne mund të dyshojmë se një vrasje është kryer për motive të ulëta, si hakmarrje apo të ndryshme, por gjatë hetimeve mund të ndërrojë kjo”, thotë Krasniqi.
Armët në posedim të paligjshëm nga qytetarët, që qarkullojnë në Kosovë, sipas ekspertëve të sigurisë thuhet se janë shkaktarët kryesorë për pjesën dërmuese të vrasjeve dhe të një sërë krimesh që kanë ndodhur.
Në të kaluarën një dukuri e tillë ishte ngritur si shqetësim nga deputetët në Kuvendin e Kosovës. Armët pa leje ishin potencuar si rrezik i përhershëm për sigurinë e qytetarëve.
Eksperti i çështjeve të sigurisë, Avni Islami thotë për Radion Evropa e Lirë se posedimi i armëve pa leje është një kërcënim për sigurinë e qytetarëve.
“Si pasojë e këtyre vrasjeve është numri i madh i armëve ilegale. Në Kosovë pas përfundimit të luftës konsiderohet se në duart e qytetarëve janë rreth 350 mijë armë, duke filluara nga armët e zjarrit deri tek ato të gjuetisë. Është një problem shqetësuese dhe deri më tani institucionet e Kosovës nuk kanë gjetur zgjidhje, që së paku armët luftarake të largohen nga duart e qytetarëve, dhe të iu dorëzohen institucioneve kompetente. Pra, si pasojë e këtyre armëve kemi një numër të tillë të vrasjeve”, thotë Islami për Radion Evropa e Lirë.
Vlerësimet flasin se në Kosovë ekziston një numër i madh i armëve ilegale, që kanë mbetur kryesisht nga periudha e luftës 1998-1999. Madje, kjo shifër, ishte thënë se është mbi 300 mijë armë të vogla.
Institucionet e Kosovës, shton Islami, duhet të gjejnë mënyrë që së paku armët luftarake të largohen nga duart e qytetarëve dhe në mënyrë të organizuar të dorëzohen tek autoritetet.
“Duhet gjetur një mënyrë që qytetarët t’i dorëzojnë armët të cilat i mbajnë në mënyrë ilegale. Të bëhet një formë që ata që dorëzojnë armët dhe të marrin si shpërblim qoftë para të gatshme apo ndonjë mënyrë tjetër që bën qytetarët që të dorëzojnë ato. Pastaj armët e tjera të regjistrohen dhe të gjithë ata që posedojnë armë të trajnohen dhe të sigurohen se si duhet mbahet një armë. Në këtë mënyrë besoj se do të zvogëlohet numri i vrasjeve në Kosovë”, thotë Islami.
Që nga paslufta, mekanizmat e sigurisë, thotë zëdhënësi i Policisë së Kosovës Bajram Krasniqi, kanë konfiskuar dhe asgjësuar armë të ndryshme.
“Policia e Kosovës ndër vite ka konfiskuar numër shumë të madh të armëve të zjarrit që ndodhen në mënyrë të paligjshme në duart e qytetarëve. Po ashtu, ndër vite ka shkatërruar ato armë. Në vitin 2017 ka konfiskuar mbi 1211 armë dhe 30 mijë copë municione të ndryshme. Përveç konfiskimit, Policia ka bërë fushata që armët të mos përdoren as në ahengje festive, as në konfliktet të ndryshme që mund të kenë mes vete qytetarët”, thotë Krasniqi.
Nga hulumtimet e bëra, konsiderohet se pasojat e pasluftës, pastaj frika, mosbesimi tek institucionet, si dhe tradita, janë disa nga arsyet pse qytetarët e Kosovës mbajnë armë në mënyrë të paligjshme. Ulja e numrit të mbajtjes së armëve pa leje nga qytetarët, konsiderohet sfidë për Kosovën.
LEXO EDHE:
http://cs13.temp.domains/~ekonomia/nacionale/siguri/vritet-nje-35-vjecar-ne-obiliq-babai-dorezon-djalin-ne-polici/