Mesatarisht që nga vitit 2001 në Kosovë çdo muaj janë shënuar 4.8 vetëvrasje. Shifrat që ka Policia e Kosovës për këtë fenomen tregojnë se për 17 vjet numri i të vetëvrarëve ka arritur në 975 persona, shkruan sot Koha Ditore.
Ndërkohë që shumë më i lartë është numri i atyre që kanë tentuar t’ia marrin vetes jetën. Kjo shifër për vitet 2001-2017 është 3 mijë e 646 persona. Për fillimin e këtij viti, Policia ende nuk ka shifra të grumbulluara për këtë fenomen. Mirëpo në bazë të raporteve 24-orëshe, ndonëse nuk ka ende të dhëna përfundimtare për raste të caktuara, flitet për katër vdekje të dyshuara si vetëvrasje.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ata i qasen aktit si akt dhe se i hetojnë këto raste kur dyshohet se personi është shtyrë të bëjë një veprim të tillë, ose kur konstatojnë veprat penale “shtyrja në vetëvrasje” apo “ndihma në vetëvrasje”.