Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar në polici vetëm gjatë 24 orëve të fundit, e në shumicën e rasteve viktimat kanë qenë gra.
Në Gjakovë viktima grua, është detyruar të pranojë edhe tretman mjekësor meqë ndaj të njëjtës është ushtruar dhunë nga burri e vjehrritë e saj. Tre të dyshuarit janë arrestuar, ndërsa viktima pasi ka pranuar tretman mjekësor është kthyer tek familja e prindërve saj. Me vendim të prokurorit, dy nga të dyshuarit, burri dhe vjehrri janë dërguar në mbajtje, ndërsa e dyshuara, vjehrra e viktimës, është liruar në procedurë të rregullt.
Po në Gjakovë, është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi ka tentuar ta godas fizikisht bashkëshorten e tij. Viktima me dëshirën e saj është kthyer në shtëpi, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.
Në po të njëjtin rajon, në Malishevë babë e djalë kanë përfunduar në pranga meqë pas një mosmarrëveshje ishin rrahur mes vete, ku si pasojë e kësaj kanë pësuar edhe lëndime trupore. Të dy me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
Ndërkohë, në Fushë-Kosovë viktima femër kosovare, ka raportuar se ka pasur mosmarrëveshje me bashkëshortin e saj dhe ai ka ushtruar dhunë psikike në vazhdimësi ndaj saj. Me vendim të prokurorit, palët janë intervistuar dhe janë liruar në procedurë të rregullt.
Ndërsa në Dragash është arrestuar e dërguar në mbajtje i dyshuari mashkull kosovar, pasi i njëjti kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij, e cila është dërguar në strehimore.
Ndërkohë, edhe fushatat e tryezat kundër kësaj dukurie janë shpeshtuar nga institucionet e Kosovës.
Të premten, një tryezë u mbajt në Pejë, ku u fol për këtë çështje, organizuar nga Prokuroria Themelore atje, pjesë e së cilës tryezë ishte edhe ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ajo ka bërë të ditur se përveç tjerash ministria që ajo drejton ka filluar ndarjen e pronave të konfiskuara për të mbështetur viktimat e dhunës dhe ka lansuar masa për fuqizimin ekonomik të grave viktima përmes programeve të punësimit.
Ndërkohë në Mitrovicë të Jugut u bë fushatë nga Policia e Kosovës me moton “Raporto Mos Duro” të cilët shpërndanë fletëpalosje me mesazhe informuese e vetëdijesimi në të cilat përveç mesazheve sensibilizuese ishin të ilustruara edhe me sanksionet penale.