Për 8 muaj u eksportuan 250 milionë euro prodhime vendore

Prishtinë | 31 Gus 2017 | 10:09 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Është rritur vlera e eksporteve të prodhimeve vendore. Vetëm në vitin 2017 përkatësisht në 8 mujorin e parë të këtij viti vlera e mallrave të eksportuara nga Kosova drejt vendeve të Bashkimit Evropian (BE) ka arritur në 250 milionë euro, raporton Ekonomia Online.

Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar vlera e mallrave të eksportuara kishte vlerën në 210 milionë euro.

Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka thënë se në rritje të eksportit të prodhimeve kosovare ka ndikuar nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA).

“Prej fillimit të vitit 2017 dhe deri në periudhën kur ne po flasim ne kemi një rritje të eksportit apo produkteve që eksportohen drejt vendeve të tjera. Realisht nëse vitin e kaluar për periudhën e njëjtë pra 8 mujorin kemi pasur rreth 210 milionë vlerë të mallrave të cilat janë eksportuar sivjet kemi rreth 250 milionë euro, pra kemi një rritje të eksportit me rreth 12 deri 13 për qind më shumë nëse e kthejmë në përqindje”, tha ai.

“…Në rritjen e eksporteve realisht ka ndikuar rritja e prodhimit vendor pasi kemi shumë prodhues që vetëm kanë filluar që përveç rajonit të eksportojnë edhe më larg dhe ne besojmë që ky është njëri prej efekteve pozitive të cilin e ka shkaktuar Marrëveshja e Stabilizim Asocimit që prodhuesve kosovarë dhe kompanive të tjera iu ka ofruar mundësi të reja drejt tregut evropian ku rreth 400 milionë banor pranojnë mallra të Kosovës pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje”.

Kosova vazhdon të jetë një treg i cili është i mbushur me mallra të eksportuara për shkak të mungesës së prodhimeve vendore.

Ai ka thënë se përveç rritjes që ka ndodhur në eksport, vlera e mallrave të importuara nga jashtë vazhdon të ketë rritje, ku vetëm për tetë mujorin e këtij viti është importuar mall në Kosovë në shumë prej 1.6 miliard euro.

“Sa i përket importit ne kemi një rritje në dy kategori, kemi rritje në aspektin e vlerës së gjithashtu kemi rritje në aspektin e peshës së mallrave, nëse vitin e kaluar vlera e mallrave ka qenë 1.5 miliard euro gjatë këtij viti është ngritur në 1.6 miliard euro derisa pesha është ngritur në 3.5 për qind më shumë se vitin e kaluar”, duke shtuar se vlera e të hyrave në Doganë ka qenë 700 milionë euro më shumë për buxhetin e shtetit.

Stavileci ka thënë se nga llojet e mallrave që eksportohen dominojnë metalet dhe minerale ndërsa tek importi nuk mund të veçohet një lloj malli i caktuar sepse kemi një gamë të gjerë të mallrave që hyjnë nga importi.

“Kryesisht llojet e mallrave që eksportohen dominojnë metalet dhe mineralet derisa tek importi nuk mund të veçojmë një mall të caktuar prej një game të gjerë të produkteve që është duke filluar prej Industrisë ushqimore deri tek industritë e tjera siç janë ajo ndërtimore që do të thotë kemi një llojllojshmëri të produkteve të cilat importohen në vend derisa në eksport janë më të kufizuara, kemi eksport të produkteve ushqimore, produkte të materialit ndërtimor, të mineraleve apo xeheve gjithashtu kemi eksportin e xeheve të cilat dërgohen në Maqedoni dhe Shqipëri”, tha ai.

Serbia vazhdon të mbaj rekordin nga vendet që eksporton mallra drejt Kosovës. Për çdo vit kosovarët blejnë mallra të prodhuara në Serbi në një vlerë prej 400 milionë euro, raporton EO.

“Nëse mund të shkohet nga top pesë vendet nga të cilat ne blejmë mallra lista është e përbërë kryesisht prej vendeve të Unionit Evropian dhe vendeve të Azisë por nëse i shikojmë si vende të ndara kemi Serbinë e cila është njëri prej eksportuesve më të mëdhenj në Kosovë pastaj vjen Gjermania, Italia, Kina, Turqia dhe vende të tjera”.

“Viti i kaluar ka qenë viti ku kemi pasur më së shumti import prej Serbisë që ka qenë 392 milionë euro që i bie 392 milionë euro kanë blerë kosovarët mallra apo produkte të prodhuara në Serbi kurse për këtë vit trendi për këta muaj është i njëjtë. Ne presim që deri në fund të vitit bilanci tregtar apo shuma e cila do të blejmë mallra në Serbi do të arrihet rreth 400 milionë euro”, përfundoi Stavileci.

Të ngjashme