Në pamundësi për të gjetur punë, të rinjtë që përfundojnë studimet, por edhe të tjerë me kualifikime më të ulëta shkollore, kanë filluar të shfaqin interesim për t’u aftësuar profesionalisht.
Vetëm brenda 9 muajve të këtij viti, në trajnimet që ofrojnë qendrat për aftësime profesionale kanë marrë pjesë 5 mijë e 180 persona, shkruan sot “Koha Ditore”.
Në kuadër të Departamentit të Punës dhe Punësimit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ekzistojnë tetë qendra regjionale të aftësimeve profesionale (QAP): në Prishtinë, Mitrovicë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Ferizaj, Gjilan dhe Dolan të Zveçanit.
Zyrtari për komunikim me publikun në Ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Musa Demiri, ka thënë se mandati i këtyre qendrave është aftësimi dhe riaftësimi profesional i punëkërkuesve të regjistruar si të papunë në zyrat e punësimit.