Ishte premtuar nga ministri i Drejtësisë se Kodi i Procedurës Penale do të procedohet në Kuvend gjatë qershorit, por plotësim-ndryshimi i tij është shtyrë për shtator, raporton KTV.
Ndër ndryshimet që pritet të bëhen në këtë kod është edhe gjykimi në mungesë.
Ministri Abelard Tahiri, thotë se ende nuk ka qëndrim se a do të përfshihet apo jo gjykimi në mungesë në Kodin e Procedurës Penale. Por, përfshirjen e gjykimit në mungesë në plotësim-ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, e sheh të domosdoshme prokurori, Besim Kelmendi.
Kelmendi që është pjesë e grupit punues, thotë se kjo duhet të përfshihet për të gjykuar kryesit e krimeve të luftës në Kosovë.
Juristi Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se gjykimi në mungesë nuk duhet të jetë pjesë e Kodit të Procedurës Penale, pasi kjo shkel të drejtat për mbrojtje të palës së dëmtuar.
Me ligjet e aplikueshme deri në vitin 2004 në Kosovë ishte i lejuar gjykimi në mungesë. Por, me hyrjen në fuqi të Kodit të Përkohshëm të Procedurës Penale të hartuar nga UNMIK-u, kjo ishte shfuqizuar.