Për dy vëllezërit e vetëvrarë: Arbnor dhe Astrit Dehari

Prishtinë | 25 Nën 2023 | 15:12 | Nga Baton Haxhiu

Arbnor dhe Astrit Dehari nuk janë dëshmorë të kombit. Nuk janë as martirët e fundit në historinë e këtij vendi. Nuk janë as simbole të ndërgjegjes qytetare në Kosovë. Ata nuk meritojnë as përkujtime solemne nga ana e Qeverisë, as grafite nëpër muret e disa prej qyteteve të Kosovës dhe Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut, as emra rrugësh në Prishtinë. Ata janë thjeshtë dy vëllezër fatkeq të cilët për problemet e tyre familjare kanë zgjedhur t’i japin fund jetës së tyre, në mënyrën më mizore.

Avni e Xhemile Dehari, para se të synojnë të shpëtojnë fytyrën e tyre duke mashtruar qëllimshëm nëpër televizione të ndryshme, bëjnë shumë më mirë të mendojnë për prindërinë e tyre dhe t’i kthehen rrethit familjar. Natyrisht, nëse ata duan të gënjejnë dhe mashtrojnë qëllimisht për hir të Albin Kurtit, mund ta bëjnë këtë. Mirëpo, në këtë rrethanë, vlen të theksohet se edhe shoqëria ka të drejtë t’ua kujtoj se po bëjnë biznes me gjakun e dy djemve të tyre.

Vetëm në Kosovë, Albulena Haxhiu dhe Albin Kurti, bashkë me gënjeshtarët tjerë të VV-së kanë arritur të grabisin kohën dhe jetën e qytetarëve te Kosovës.

Rrëfimi nis te djegia e fundit e godinës së IML-së, dhe një pyetje që Redaksia e “Albanian Post” i bëri Avni Deharit?
Të dyja këto ngjarje e ndërtojnë në tërësi rrëfimin e rremë për dy heronj dhe rrëfimin e vërtetë për vetëvrasjen e dy “heronjve” të Albin Kurtit dhe Albulena Haxhiut. Kanë marre shtetin peng.

Të gjitha parashikimet e Albinit dhe Albulenës janë të gabuara. Por nëse janë gabuara, ato thonë shumë të vërteta për atë që nxjerrin nga goja. Jo për atë që do të vij, por për kohën e tashme të tyre.

Djegia e një pjesë të godinës së IML-së, ashtu edhe sikundër humbja e pretenduar e mostrave të gjakut të Astrit Deharit, nën përgjegjësinë absolute të Ministres së Drejtësisë, shkaktoi sërish një debat të madh shoqëror. Kuvendi i Kosovës edhe njëherë u ndesh me fantazmën e një njeriu të vetëvrarë, ashtu sikurse shoqëria kosovare është marrë peng që 7-8 vite nga një emër i një njeriu të zakonshëm, Astrit Dehari.

Albin Kurti, pasi i propozoi partisë që ta mumizojnë Astritin e mjerë, vendosi me qëllim të gënjejë se ai është vrarë nga dikush në burg për qëllime të pastra politike. Edhe Avni Dehari e di fort mire se dy bijtë e tyre vendosën t’i japin fund jetës së tyre.

I pari u hodh nga ballkoni i Pallatit të tij në Prishtinë, pasi partia e tij e përbuzi, e përjashtoi, e nënçmoi për një kohë të gjatë. Për turpin e tyre, partia e VV-së, me urdhër, së bashku me Avniun, vendosën t’i vejnë faj gruas së parë të Arbnorit, Mirvetit. Kjo është e vetmja e vërtetë nga e cila as nuk duhet dhe as nuk mund të fshihet askush me çfarëdo gënjeshtre apo moralizimi të turpshëm nga bashkëpjesëmarrësit në krim publik, nga Albin Kurti te Xhelal Sveçla.

Astrit Dehari, ndërkaq, vendosi të vete vrahet i mbyllur në burg. Çdo gjë dihet rreth rastit, nga dosja e hetuesisë, nga përpjekja e tij për t’i prerë fillimisht venat te kyçet e duarve deri tek goditja e murit me kokë për ta humbur vetëdijen dhe shpuar fytin e tij me shishen e plastikës së mjaltit.

Atëherë Klan Kosova pati publikuar videot autentike të burgut dhe me atë rast u pat dëshmuar qartë se në momentin e ngjarjes tragjike, Dehari ka qenë i vetëm në dhomë. Vetë ky fakt eliminon çfarëdo mundësie që ai të jetë vrarë nga dikush për motive politike.

Fundja, kush ka qenë Astrit Dehari?

Askush.

Ai u bë i njohur në tragjedinë e tij.

Një aktivist si shumica e aktivistëve të tjerë tru shpërlarë të Albin Kurtit.

Çdo njeri i arsyeshëm në Kosovë e di se Astrit Dehari nuk ka përfaqësuar asgjë për t’u vrarë në burg nga dikush për llogari politike.

Ai ka qenë në paraburgim për arsye krejtësisht të drejta. Jo për arsye politike. Kur u bastis familja Dehari me dyshim të arsyeshëm për pjesëmarrjen në sulmin terrorist ndaj godinës së Kuvendit/ Presidencës, asaj familjeje, respektivisht Astrit Deharit, në shtëpinë e tij në Zllatar, ju gjetën snajperë, kallashnikovë, një çantë me bomba dore, pistoleta e disa dengje me plumba. Secila e përgatitur për përdorim.

Kur e pyetëm Avni Deharin se a jeni dënuar ndonjëherë për armëmbajtje pa leje, ai deklaroi kështu për Albanian Post: “Jo s’kam pas kurrë dënim për armëmbajtje pa leje”.

Ai nuk pranoi të thotë se është bastisur ndonjëherë nga Policia.

03706050, është numri i dokumentit të aktgjykimit të tij i datës 02.12.2022, me numër të lëndës 2021:159029. Dhe, është shpallur FAJTOR. Është dënuar me 700 eur dënim për:

Në shtëpi janë gjetur Një sprej me mbishkrimin “Nato”; Një revole e Ceërvena Zastava e kalibrit 357 me numër serik; 25 fishekë te kalibrit 3.75 mm, Magnum; Një pushkë e gjatë me optikë (snajper), por gjyqtarja dhe prokurorja mundohen ta fshehin këtë armë të rrezikshme me një stil tjetër gjuhësor. Kjo pushkë ka pasur mbishkrimin 7.64 mm bnp 18 tons England-16R3619; si dhe Nje pushkë automatike A 47 M 70, AB2 1984 me numër serik. Janë gjetur edhe tre karikatorë dhe 31 fishekë të ndryshëm të cilat armë i mbante pa autorizim.

Neni 374 i Kodit penal të Kosovës e thotë qartë për ata që mbajnë armë pa leje:

“Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në 7500 eur ose me burgim deri në pesë vjet. Në rastin e Avni Deharit, paragrafi dy i këtij neni parasheh dënim nga dy deri ne 10 vjet burgim.

Aktgjykimi kundër Avni Deharit
Gjykata në rastin Dehari ka qenë e kontrolluar dhe një pjesë të provave që kanë qenë në raportin e policisë janë zhdukur ose fshehur me qëllim.

Le të na thotë Ministrja e Drejtësisë, cili Prokuror normal në Kosovë, kur një të dyshuari i kapet një sasi e tillë armatimi në shtëpi, vendos që të pandehurin ta lejë të lirë e jo ta mbajë në paraburgim? Fundja, paraburgimi është masë sigurie, jo masë dënimi.

Sikur të lirohej Astrit Dehari, do të ishte pikërisht skandal i madh mbarë kombëtar. Mirëpo ekziston një skandal tjetër për të cilin në Kosovë nuk guxon askush të flas sepse dëshirojnë të jetojnë të pa hare si tradhtar në mbretërinë e gënjeshtrës së Albin Kurtit.

Pasi Astrit Dehari u zu ne flagrancë (dorën në zemër i përfshirë vetëm në disa çështje rreth motoçikletës dhe punë të tjera në komunikim në rrethin e 5-të ose 6-të të grupit për rastin e Kuvendit), Avni Dehari, deputeti dhe babai i dy djemëve, Dehari, vendosi të gënjejë duke shkuar në polici dhe marrë përgjegjësinë për armët.

Një përpjekje e padenjë për të shpëtuar djalin nga vepra.

Avni Dehari gënjeu se armët i ka gjetur pas vetëvrasjes së Arbnorit dhe ka vendosur t’i ruaj si kujtim nga djali. Pra, merreni me mend, çfarë shkalle e tmerrshme e pafytyrësisë nga ana e tij. Ai vendosi të bëhej bashkëpjesëmarrës në krim duke e shkarkuar djalin e tij nga një pjesë e përgjegjësisë për mbajtje të snajperëve e kallashnikovëve. Me këtë logjikë, secila familje në Kosovë duhet të mbajë armët e të parëve, shokëve e kushërinjve si kujtime të vyera.

Për më shumë, në vend se të turpërohej dhe të përballonte dhimbjen e tij si një burrë dinjitoz ai zgjodhi të bëhet një vegël e Albin Kurtit duke u shkërryer nëpër studio televizive gjoja për vrasjen e dy fëmijëve të tij dëshmor nga regjimi anti-shqiptar që po punon pro-Zajedincës.

A ju kujtohen fotografitë e Astrit Deharit të manipuluar duke protestuar kundër Zajedincës? Vetëm kjo është pyetja, sepse heshtjen e turpshme të Avni Deharit për pranim të “Zajednices” e dinë të gjithë, pavarësisht se vetëm disa guxojnë ta thonë.

Kur rasti u zbardh edhe zyrtarisht për ata që dinë ta lexojnë raportin e institutit zviceran të zgjedhur në mënyrë arbitrare nga vetë familja, të paguar më parë të Qeverisë, pushteti i Vetëvendosjes bëri ndërhyrje flagrante në drejtësi duke montuar rastin politik në favor të Deharit.

Për një sasi të tmerrshme armatimi, armë me tyta të gjata e të shkurta, përfshirë snajper, ai u dënua rreth 700 euro nga Gjykata Themelore në Prishtinë nga Gjyqtari Kushtrim Shyti. Prokurore e rastit, ndërkaq, u zgjodh askush tjetër pos prokurores Besa Limani, një familjare shumë e afërt e nënkryetares së Partisë së Kurtit, zonjës Mrika Limani, mbesës së Fadil Hoxhës.

Pra, pushteti i Albin Kurtit, u lidh si mishi për ashtin, me familjen e Fadil Hoxhës, për ta mbuluar krimin e rëndë të Avni Deharit, i cili flet për patriotizëm nëpër media dhe vete paraqitet si baba dëshmorësh.

Vetë Avniu e ka pasur mundësinë t’i bashkëngjitet UCK-së në front të luftës. Këtë nuk e ka bërë dhe kjo është zgjedhje e tij.

Nëse ai do të ishte një i marrë i zakonshëm, edhe do të mirëkuptohej, por ky mirëkuptim do të ishte me ndërgjegje, nëse ai do të fliste nëpër televizione i shkëputur nga realiteti për ta menaxhuar dhimbjen e tij.

Mirëpo ai u bë pjesë e një skenari famëkeq për t’i vjedhur votën një populli duke shitur përrallën se fëmijët e tij të pafajshëm (shikoje raportin e policisë dhe vendimin e gjykatës, të armatosur deri në dhëmbë) po mbyten burgjeve të Kosovës si në kohën e Jugosllavisë – pra, si në kohën e gjyshit të Mrika Limanit. Dhimbja për familjen Dehari është e pranueshme deri në pikën kur ajo nuk keqpërdoret për tu bërë tragjedi mbarëkombëtare.

Cila është tragjedia e vërtetë?
Tragjedia e parë është se një shoqëri detyrohet të gënjejë për shkak të llogarive kriminale të Albin Kurtit, Albulena Haxhiut e Xhelal Sveçles. Të gjithë e dine se ata janë vetëvrarë dhe të gjithë të detyruar nën presion shtiren sikur ekzistojnë pikëpyetje rreth kësaj çështje. Ka ardhur koha që ta themi të vërtetën për hir të demokracisë dhe historisë.

Astrit e Arbnor Dehari janë vetëvrare dhe nuk paraqesin asnjë vlerë në historinë e Kosovës. Posaçërisht dënimi i Avni Deharit tregon përmasën e krimit për të cilën bëhet fjalë.

Tragjedia e dytë është se një opozitë e tërë, e një shoqëri civile e tërë, detyrohen të përulen para ndërhyrjeve kriminale të partisë së Albin Kurtit në drejtësi. Çfarë turpi, nëpërmjet familjes së anëtarëve të saj, e një gjyqtari pa integritet, një burri të armatosur deri në dhëmbë i jepet një dënim modest. E para, kjo tregon për shkallen e ndërhyrjeve në drejtësi nga pushteti i Albin Kurtit.

E dyta, kjo është një padrejtësi shumë e madhe ndaj krejt ordinerëve të cilët vuajnë burgjeve për vepra penale shumë të lehta.

Tragjedia e tretë është se pas dënimit për një vepër kaq të rëndë kriminale, grupi parlamentar i VV-së, nuk e përjashtoi Avni Deharin nga partia. Ata e përjashtuan një trafikant droge, por jo një posedues armësh luftarake në funksion të luftës për pushtet në shekullin 21.

Kjo tregon jo vetëm standardë të dyfishtë e hipokrizi të thellë, por edhe tentim fshehje veprash kriminale të deputetëve të tyre. Partia e Albin Kurtit nuk lë asnjë ditë pa komentuar vendimet e gjyqësorit, ndërkohë hesht para një dënimi skandaloz si ai ndaj Avni Deharit.

Tragjedia e katërt është se si prindi i dy fëmijëve, për të vazhduar mashtrimin e konstruktuar me qëllime politike, vazhdon të jetoj si shërbëtor i zellshëm i Albin Kurtit. Ai gënjeu për historinë e djemve të tij. Për ta mbuluar këtë gënjeshtër, ka mundur së paku të vazhdoj ta kundërshtoj dialogun për të ruajtur copën e fundit të fytyrës që mund t’i ketë mbetur.

Përkundrazi.

Ai ka vendosur t’i kërruset për Zajedincë atij që nuk ia vizitoi të birin për asnjë ditë në paraburgim – Albin Kurtit.

E vërteta është se dosja e hetuesisë dhe dosja e burgut tregojnë se Astrit Dehari është vetëvrarë.

VV-ja e ka pirë si vampir gjakun e tij për motive politike. Avni Dehari ka zgjedhur të gënjejë për ta mbuluar një pjesë së historisë së tij familjare dhe për t’u bërë figurë kombëtare me zero kontribut. Pra, një grup i njerëzve të poshtër që kanë zgjedhur të keqtrajtojnë një popull të tërë me gënjeshtra të llahtarshme mbi tragjedinë e një biri dhe shoku të tyre.

Një gjë është e sigurt: në ditën e festës së Zajedincës, Astrit Dehari do të mungojë në ceremoninë e një festimi. Kurora lulesh mbi varre do t’i vendosën ata që e çuan deri në gropë të varrit dhe ja keqpërdorën vdekjen për të ardhur në pushtet.

Pyetja mbetet, ndërkaq, kush do të japë llogari për dënimin qesharak ndaj Avni Deharit dhe kur do të jap ai dorëheqje, në mos jo morale për shkak mashtrimit të vazhdueshëm, të paktën politike për shkak të dënimit me përmbajtje kriminale?

Por përmbi turpin Deharian qëndron një turp tjetër me shije kriminale, Ai i Kurtit, Albulenës dhe Sveçlës, që mbajnë peng një popull me një ngjarje që ishte krim i organizuar i shekullit të 21-një.

Për rastin e Kuvendit njëherë tjetër. Sepse Motoçikleta e Astritit mbetet vetëm një rrëfim i vogël me pamje para dyerve të ETC.

Pjesa tjetër është gënjeshtra e radhës që do të vijë nga kriminelët e rrëfimit që janë në majë të pushtetit. (Albanian Post)

Të ngjashme