Në fundjavë dhe për festat zyrtare nuk do të ketë kufij Shqipëri-Kosovë. Ministri i Brendshëm Bldi Çuçi ka prezantuar sot marrëveshjen që do nënshkruhet për krijimin e lehtësirave të kalimit në kufirin Shqipëri-Kosovë dhe anasjelltas.
“Protokolli i parë që do nënshkruajmë me homologun Svelça që përgjatë periudhës së verës dhe gjatë fundjavave kur ka fluks lëvizjeje nga të dyja krahët ne do ta lehtësojmë plotësisht. Nëpërmjet protokollit të parë që do nënshkruajmë do përcaktojmë që prej 1 qershorit deri në 1 shtator, për çdo fundjavë dhe çdo ditë feste shtetërore në kufijtë tanë shtetasit e Kosovës dhe Shqipërisë do kalojnë pa qenë nevoja e regjistrimit nga organet kufitare në mënyrë që të mos krijohet asnjë radhë apo vonesë për qytetarët në të dyja anët”, tha ministri Çuçi.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se deri në fund të shtatorit do të kemi lehtësim për çdo fundjavë dhe ditë pushimi.
“Jemi të lumtur që bashkëpunimi është intensiv dhe me rezultate konkrete. Shumë procese ia kemi dalë mbanë falë bashkëpunimeve. Ne kemi diskutuar sfida me të cilat ballafaqojnë qytetarët, ekipet janë takuar. Jam i lumtur që ne do të nënshkrujmë 2 marrëveshje. Policia e Kosovës dhe e Shqipërisë gëzojnë një bashkëpunim të shkëlqyer. Në kuadër të kësaj ne do të nënshkruajmë një marrëveshje. Deri në fund të shtatorit do të kemi lehtësim për çdo fundjavë dhe ditë pushimi”, tha ai.