Që nga tetori i vitit të kaluar, kur ka nisur aksioni “Stop drogave në shkolla” e deri në muajin mars të këtij viti, Policia e Kosovës ka arrestuar 742 persona. Prej tyre 152 kanë qenë nxënës, shkruan sot Koha Ditore.
Nga ky grup i të arrestuarve, 194 persona kanë qenë shpërndarës dhe 548 konsumues të drogës.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka thënë për gazetën se 152 nga të arrestuarit kanë qenë të moshës deri në 19 vjet, kurse 590 të tjerë nga mosha 20 deri në 30-vjeçarë.
Në këto aksione, sipas tij, përveç substancave narkotike janë konfiskuar edhe 10.776 euro, 20 armë, 220 fishekë, 2 boksa të hekurt, 4 vetura, 4 shufra metalike dhe 6 thika.