Për herë të dytë ka dështuar të mbahet seanca ndaj ish-udhëheqësit të hetimit në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Kosovës, Behar Millaku, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe të akuzuarve për ushtrim të ndikimit, Shefqet Zogaj dhe Ilir Sadrijaj.
Kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi – Jashanica, ka bërë të ditur se mbrojtësja e Ilir Sadrijajt, avokatja Kosovare Kelmendi përmes një shkrese ka njoftuar se nuk mund të jetë prezente në gjykim.
Kjo për arsye se në të njëjtën ditë është e angazhuar në një gjykim për vrasje në Pejë.
Gjykatësja Krasniqi-Jashanica, bëri të ditur se edhe i akuzuari Behar Millaku, me avokatin e tij Haxhi Millaku kanë njoftuar se nuk do të jenë prezent në gjykatore.
Seanca e ardhshme në këtë rast pritet të mbahet më 11 shkurt 2020, nga ora 9:30.
Edhe seanca e paraparë të mbahej më 29 tetor kishte dështuar për shkak të mungesës së prokurores Dulina Hamiti, e cila gjendej në pushim vjetor.
Ndryshe, Millaku akuzohet se në cilësinë e ish-udhëheqësit të hetimit në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar në Policinë e Kosovës, kishte keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, ndërsa për ushtrim ndikimi akuzohet ish-zyrtari policor Shefqet Zogaj, si dhe Ilir Sadrijaj.
Më 19 qershor 2018, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për veprat penale që iu vihen në barrë.
Tre të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm edhe në seancën e 21 marsit të vitit 2018, por mbrojtësi i të akuzuarit Behar Millaku, avokatit Haxhi Millaku, kishte propozuar që ky rast të gjykohet në Gjykatën Themelore në Pejë, pasi sipas tij, një pjesë e hetimeve ishte zhvilluar nga Prokuroria Themelore në Pejë.
Pas propozimit të Millakut, gjykatësja Naime Krasniqi-Jashanica e kishte dërguar këtë lëndë te kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila e kishte deleguar në Gjykatën Themelore në Pejë, por kjo e fundit i ishte drejtuar Gjykatës së Apelit, e cila përfundimisht kishte vendosur që këtë çështje ta gjykojë Gjykata Themelore në Prishtinë.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit Ilir Sadrijaj dhe Shefqet Zogaj me qëllim që vetit dhe personit zyrtar Behar Millaku t’i sjellin përfitim të kundërligjshëm, kanë kërkuar para nga pronari i kompanisë së lojërave të fatit “EGTK II SHPK”, Skender Fetaj, në mënyrë që i akuzuari Millaku, në cilësinë e udhëheqësit të hetimit në Drejtorinë Kundër Krimit të Organizuar, i cili ishte duke hetuar rastin e kësaj kompanie, të krijojë lehtësira gjatë hetimit, për t’ia hapur lokalet e lojërave të fatit, të cilat ishin mbyllur nga policia dhe për t’i mbyllur hetimet e fituara ndaj tij.
Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Zogaj, kishte siguruar informata për rrjedhjen e hetimeve ndaj Skender Fetaj, dhe të njëjtat ia kishte dërguar të akuzuarit Sadrijaj, në mënyrë që ta bindin të dëmtuarin Fetaj, për t’i dhënë paratë.
Fillimisht, Sadrijaj ka kërkuar nga ish-punëtori i kësaj kompanie Avni Qerimi, që të kërkojë nga i dëmtuari Fetaj shumën prej 4.000 euro, i cili këto para i kishte thënë menaxherit të kësaj kompanie Denis Cocaj, që t’ia dërgonte të akuzuarit Sadrijaj.
Tutje, sipas aktakuzës, më 10 janar 2017, këto para Qerimi, ia kishte dhënë të pandehurit Sadrijaj, i cili pas disa ditësh ishte takuar me Fetajn dhe i kishte thënë se fillimisht duhet t’i jepte 30.000 euro për udhëheqësin e hetimit Behar Millaku, pastaj edhe shumën prej 300.000 euro, dhe e kishte sugjeruar që ta ndërrojë avokatin në mënyrë që këto para t’i dorëzohen policit Millaku, për t’i mbyllur hetimet ndaj tij.
Mirëpo, siç thuhet, i dëmtuari Fetaj, më 26 janar 2017, ishte koordinuar me policinë, dhe i kishte fotografuar shumën prej 30.000 euro, dhe kur Denis Cocaj, Bajram Kurmehaj ishin takuar me Sadrijaj, në lokalin “Liridoni” në rrugën Pejë –Deçan, Kurmehaj shumë prej 30.000 euro ia kishte dhënë në zarf Sadrijajt.
Kështu, sipas aktakuzës, pasi Sadrijaj së bashku me Zogajn i kishin marrë paratë, kishin hyrë në lokale dhe bastore të ndryshme dhe gjatë natës kishin bërë ndërrimin e parave, pastaj ishin takuar me Millakun dhe ia kishin dhënë shumën prej 2.000 euro, ndërsa Millaku me veturë të cilën e drejtonte Shaban Ramaj ishin ndaluar nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe me rastin e kontrollimit, i kishin sekuestruar shumën prej 2.000 euro, ndërsa Sadrijaj nga ana e policisë në Pejë i janë gjetur 2.200 euro.
Prokuroria të akuzuarin Behar Millaku e ngarkon me veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa të akuzuarit Ilir Sadrijaj dhe Shefqet Zogaj me veprën penale “ushtrim i ndikimit”. /BetimipërDrejtësi