Për herë të parë në dy dekada, numri i serbëve që janë kundër anëtarësimit në Bashkimin Europian është më i lartë se i atyre që duan të jenë pjesë e BE-së, sipas një sondazhi.
Sondazhi, i cili është bërë nga Ipsos dhe që për herë të parë u publikua në gazetën serbe “Blic”, tregon që 44 përqind e pjesëmarrësve janë kundër anëtarësimit kundrejt 35 përqindve që janë në favor.
Marko Uljareviq nga Ipsos i ka thënë Blicit se kjo ishte hera e parë që numrat e atyre që kundërshtojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian janë në epërsi.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se gjetjet janë të ngjashme me disponimin në Partinë Progresive, kreu i së cilës është vetë Vuçiq.
“Besoj që Servia ka një vend në Bashkimin Europian. Besoj që ne duhet të vazhdojmë rrugën tonë europiane dhe ne duhet të luftojmë për rrugën tonë dinjitoze drejt Europës. Ne duhet të vazhdojmë pavarësinë në vendimmarrje, të paktën derisa të bëhemi anëtar të BE-së”.
Serbia ka dorëzuar aplikacionin oër anëtarësim në BE në vitin 2009, shkruan Euronews, transmeton Gazeta Express.
Bisedimet për pranim filluan në vitin 2014, por tensionet e vazhdueshme midis Serbisë dhe Kosovës e kanë penguar procesin.
Edhe pse po kërkon t’i bashkohet bllokut, Beogradi gjithashtu ka sytë nga Moska.
Ajo votoi pro të tri rezolutave të Kombeve të Bashkuara që dënojnë agresionin rus kundër Ukrainës, por nuk i është bashkuar sanksioneve ndërkombëtare kundër Moskës.
Politologu serb Nemanja Todoroviq Shtiplija, kryeredaktor në ueb portalin European Ëestern Balkans, është skeptik rreth sondazhit.
Ai thotë se ky hulumtim është bërë në kontekstin e narrativës për efektet e mundshme të qeverisë serbe për të vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe për të pranuar të gjitha masat kufizuese të vendosura nga BE-ja ndaj Rusisë.
Ky hulumtim vjen në kohën kur ministri i Brendshëm i Serbisë Aleksandar Vulin tha se vendi duhet të rishqyrtojë qëllimin që tashmë është bërë ditur për t’u bashkuar me Bashkimin Europian për shkak të presionit të supozuar të Perëndimit për t’iu bashkuar sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë për luftën në Ukrainë.
“Ata po matin dashurinë tonë për Europën me urrejtjen tonë ndaj Rusisë. Nëse e doni Europën, duhet ta urreni Rusinë. “Epo, unë nuk dua të urrej Rusinë, nuk dua të urrej askënd. Unë kam të drejtë të mos humbas asnjë mik të vetëm, nuk marr pjesë në konfliktet tuaja”.