Max Mirnyi, një nga lojtarët më të mirë në tenis të çifteve, ka pasur një krizë të orarit gjatë turneut të fundit në Long Island. Ai duhej të përgatitej për një meç, por po ashtu premtoi se do ta shoqëronte vajzën 13-vjeçare Melanien në një ekskursion që kërkon kohë dhe planifikim.
Kombinimi i garave dhe rolit të babait mund të jetë një punë e vështirë, veçanërisht në sport si tenisi që kërkon udhëtime më të gjata ndërkombëtare, shkruan “The New York Times”, transmeton “Koha Ditore”. Serena Williams, që tash udhëton me vajzën e saj shtatëmuajshe, po e mëson këtë, siç e kanë mësuar edhe të tjerët para saj si Victoria Azarenka, Roger Federer e Novak Gjokoviq.
Por Mirnyi di një marifet apo dy në këtë. Për të zgjidhur telashin e fundit, Mirnyi ia besoi Melanies punën që të organizojë një udhëtim në Manhattan për të parë shfaqjen muzikore “Anastasia” në Broadway.
“Ajo më tha, ‘Baba, mos u shqetëso për mua. Shko stërvit. Unë kam detyra shtëpie’“, rrëfen Mirnyi.
Ndihmon fakti që Melanie Mirnyi është tinejxhere, vetëm pak vite më e re sesa disa teniste që garojnë profesioniste tashmë. Ajo, sipas llogarive të veta nga ajo që ka parë nëpër turne, është fëmija më i vjetër i të gjithë tenistëve që janë aktiv në tenist profesionist. Kjo e bën babanë e saj 40-vjeçar një ekspert në kombinim të rolit të babait dhe tenisit.
Për 13 vjet e katër muaj, Mirnyi, baba i katër fëmijëve, me kujdes ka negociuar këtë balancë të karrierës dhe familjes. Në fillim, kur Melanie ishte foshnjë, ajo dhe bashkëshortja e Mirnyit, Ksenia, udhëtuan nëpër botë për të parë Mirnyin duke luajtur. Por me t’u futur Melanie në shkollë, fëmijët e Mirnyit qëndruan kryesisht në shtëpi, në Florida apo në vendlindje Bjellorusi.