Komuna e Gjilanit përmes një komunikate për media bën të ditur se në bashkëpunim me shoqatën “Jetimat e Ballkanit”, kanë ndihmuar 120 familje për nder të Kurban Bajramit.
“Për nder të Kurban Bajramit, Drejtoria për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, u del në ndihmë rasteve më të rënda sociale të cilat kanë nevojë për ushqim, përmes donacionit të shoqatës “Jetimat e Ballkanit”, e cila në Gjilan ka ndihmuar edhe herave të tjera familje të shumta”, ka njoftuar drejtori I drejtorisë Selami Xhemajli.
Selami Xhemajli, drejtor i Drejtorisë për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka thënë se në ditën e dytë të kurban Bajramit po përfitojnë 120 familje, kurse në javën e ardhshme edhe 100 të tjera.
“Sot shpërndajmë mish për 120 familje, në sasi prej 5 kilogramësh për secilën familje. Edhe me datën 29 gusht kemi marrë tashmë konfirmimin dhe janë paraparë që të shpërndahet mish përmes shoqatës “Relief Islamik Kosova”, ku do të përfitojnë edhe 100 familje tjera në sasi prej 7 kilogram për familje”, ka thënë Xhemajli.
Këto ndihma në festën e Kurban Bajramit dhe ato të datës 29 gusht po e bëjnë më të lehtë edhe misionin e Komunës që ka caktuar muajin e solidaritetit dhe humanizmin, që të ndihmohen familjet në nevojë.
Xhemajli ka falënderuar dy shoqatat që janë prezente në Komunën e Gjilanit me ndihma të shpeshta në forma të ndryshme.