Për një marrëveshje 27 zyrtarë të UP-së në Turqi

Prishtinë | 21 Dhj 2018 | 08:15 | Nga Ekonomia Online

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka dërguar në Stamboll të Turqisë një megadelegacion prej 27 zyrtarëve të saj për të nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me një universitet. Deputetë nga radhët e opozitës në Komisionin Parlamentar për Arsim thonë se pjesëmarrja jashtë vendit me megadelegacione të tilla s’ka kurrfarë efekti pozitiv, përpos dëmtimit të buxhetit.

Për ta nënshkruar vetëm një marrëveshje bashkëpunimi me një universitet në Turqi Universiteti i Prishtinës ka nisur një megadelegacion për në Stamboll, i përbërë nga 27 zyrtarë të saj, të cilit i prinin rektori Marjan Dema, përfaqësues nga Këshilli Drejtues, menaxhmeti dhe senatorë të universitetit “Hasan Prishtina”.

Kjo vizitë është realizuar më 14 dhjetor 2018 në Universitetin Teknik Yildiz të Stambollit.

Ndonëse zyrtarë të Rektoratit i kanë thënë gazetës “Zëri” se të gjitha shpenzimet e delegacionit të UP-së kanë qenë të mbuluara nga shteti nikoqir, deputetë nga radhët e opozitës në Komisionin Parlamentar për Arsim dhe njohës të çështjeve të arsimit në vend thonë se pjesëmarrja jashtë vendit me megadelegacione të tilla s’ka kurrfarë efekti pozitiv, përpos dëmtimit të buxhetit nëpërmjet marrjes së mëditjeve.

“Me ftesën e universitetit nikoqir nga UP-ja në këtë vizitë kanë marrë pjesë 27 persona, pjesëtarë të Këshillit Drejtues, të menaxhmentit dhe senatorë të UP-së. Shpenzimet e akomodimit për realizimin e kësaj vizite janë mbuluar nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim – TIKA, ndërsa shpenzimet e ushqimit janë mbuluar nga universiteti nikoqir dhe partnerët tjerë nga Turqia”, është thënë për gazetën “Zëri” nga zyrtarë në zyrën e rektorit Marjan Dema.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme