Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike i Universitetit “Hasan Prishtina” dhe Akademia “Tempulli” kanë organizuar tryezën me temën “Vlerësimi i gjendjes së sigurisë rrugore nga perspektiva shkencore dhe akademike”, raporton Ekonomia Online.
Në kuadër të këtij diskutimi, Profesori Ahmet Shala tha se krahasuar me shtetet e Kosova gjatë vitit 2020 qëndron më mirë, por që në vitin 2021 ësshtë rritur në masë të madhe numri i aksidenteve.
“Në aspektin e numrit të viktimave Kosova në vitin 2020 është më mirë se shtetet e rajonit, duke pasur parasysh edhe ndikimin e pandemisë por në këtë rast falënderimi i takon Policisë së Kosovës dhe mundësia e nxjerrjes së këtij raporti”.
“Faktor i aksidenteve në rend të parë është shoferi dhe pastaj edhe faktorë të tjerë siç është rruga e makina sidomos gjatë këtij viti 2021″, tha Shala.
Edhe profesor Muhamed Krasniqi në këtë tryezë diskutimi tha se siguria rrugore mbetet shqetësim në dhe se në këtë drejtim vërehet edhe mungesa e interesimit institucionale për këtë cështje.
“Që nga paraqitja e pandemisë kanë vdekur mbi 3.8 milionë njerëz në botë, andaj siguria rrugore ka shumë rëndësi”.
“Edhe te ne sidomos këto ditë janë rritur aksidentet dhe ende nuk bëhet një analizë e thukët shkencore mbi bazën e sigurisë rrugore në vend dhe vazhdon mungesa institucionale në këtë drejtim”, tha Krasniqi.
Nënkolonel Jeton Rexhepi, nga Policia e Kosovës, theksoi se krahasuar me vitin 2019 në vitin 2021 numri i rasteve me fatalitet ka shënuar rritje për 9 raste më shumë.
Sipas tij, në periudhën janar-maj kanë humbur jetën 42 persona në aksidente trafiku, raporton EO.
“Viti 2021 si rrjedhojë e pandemisë edhe në vendin tonë e ka karakterizuar me rritje të numrit të aksidenteve, duke krahasuar vitin 2019 me 2021 ku numri i rasteve me fatalitet shënon rritje me 9 raste më shumë. Nga periudha janar maj 2021 kanë humbur jetën 42 persona”.
Joze Skrilec nga “Darts Group”, tha se siguria rrugore kudo në botë, prandaj ai thotë se ka shumë rëndësi të përcaktohen faktorët që ndikojnë.
Në këtë tryezë diskutimi janë ftuar edhe përfaqësues nga ministria e Infrastrukturës, të cilët nuk kanë marrë pjesë.