Për Programin 2018, presin mbështetje 1642 projekte bujqësore

Prishtinë | 04 Maj 2018 | 12:20 | Nga

Një numër i madh i fermerëve dhe agrobizneseve kanë aplikuar për të përfituar përkrahje në projektet e tyre në kuadër të masave mbështetëse të “Programit për Bujqësi dhe Zhvillim Rural 2018”. Janë 1,642 projekte të ndryshme të zhvillimit rural, të cilat janë pranuar në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë (AZHB). Të gjithë ata aplikues që do t’i plotësojnë kriteret e parapara në thirrjen për aplikim, duke u bazuar në Programin për Projektet e Zhvilllimit Rural dhe Udhëzimit Administrativ 2018 për masat e shpallura, për të cilat buxheti i ndarë këtë vit arrin shumën në 19 milionë euro, do të mbështeten përmes granteve investive.

Në krahasim me vitin e kaluar, ka rritje të numrit të aplikuesve me projekte të zhvillimit rural. Vitin e kaluar në Zyret Regjionale të AZHB-së, kanë aplikuar 1,447 projekte për mbështetje përmes granteve investive.

“Bazuar në Programin për Projektet e Zhvilllimit Rural dhe Udhëzimit Administrativ 2018, masat mbështetëse kanë qenë të hapura për Masën 101 “Investimet në asetet fizike në ekonomitë bujqësore në disa nën-sektor”, ku buxheti i planifikuar për këtë masë është 12 milionë euro, për Masën 103 “Investimet në asetet fizike në përpunimin dhe tregtimin e prodhimeve bujqësore”, buxheti i planifikuar është 4 milionë euro, për Masën 302 “Investimet për diversifikimin e fermave dhe zhvillimin e bizneseve”, buxheti është 1.7 milionë euro, për Masën 303 “Përgatitja dhe zbatimi i strategjive të zhvillimit lokal- Qasja Leader- për Grupet Lokale të Veprimit – të përzgjedhura”, buxheti është 300 mijë euro, si dhe masën për ujitjen e tokave bujqësore, ku për këtë masë buxheti i planifikuar është 1 milion euro”, ka thënë Kryeshefi Ekzekutiv i AZHB-së, Elhami Hajdari.

Ndërkaq, sipas tij, nga java e ardhshme, Drejtoria e Miratimit të Projekteve në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, do të fillojë me vlerësimin e projekteve, bazuar në kriteret e publikuara në kohën e shpalljes së thirrjeve, e që janë edhe tani publike në ueb-faqen e MBPZHR-së dhe AZHB-së. Kryeshefi Ekzekutiv i AZHB-së, Elhami Hjadari, ka thënë se kjo agjenci ashtu sikur vitet e kaluara, do të jetë transparente gjatë tërë procesit, duke i informuar fermerët përmes sms-ve dhe vendimeve në e-mail, si dhe përmes ueb-faqes së AZHB-së për rezultatet lidhur me procesin.

Ndryshe, afati për aplikim për masat mbështetëse të këtij viti ishte shpallur më 19 mars të këtij viti dhe afati për aplikim ka qenë i hapur deri më 30 prill 2018.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme