Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Elez Blakaj, ka dhënë dorëheqje para dy ditësh nga Prokuroria. Lajmin për dorëheqjen e tij e ka konfirmuar për gazetën “Koha Ditore” kryeprokurori i Speciales, Reshat Millaku.
“Me datën 13 gusht kemi pranuar njoftimin për dorëheqjen e prokurorit Blakaj. Arsyet nuk i dimë”, ka thënë shkurt ai.
Megjithatë, burime të gazetës brenda institucioneve të drejtësisë kanë bërë të ditur se Blakaj ka dhënë dorëheqje për shkak të kërcënimeve, që i ka pranuar gjatë punës së tij si prokuror.
“Blakaj vazhdimisht është ankuar se ka pranuar kërcënime gjatë kryerjes së detyrës së tij. Është ankuar edhe për mosofrim të mbrojtjes institucionale”, ka thënë ky burim.
Gjatë tërë ditës së martë gazeta ka tentuar që të marrë një përgjigje nga Blakaj rreth dorëheqjes së tij, por ai ndonëse ka qenë i njoftuar me natyrën e pyetjeve, nuk ka shprehur gatishmëri që të përgjigjet.