Rezistenca për të pezulluar taksat ka shkaktuar anulimin e vizitës së komandantit të Gardës Kombëtare të Iowas, gjenerali majorit Timothy Orr. Siç ka marrë vesh Koha.net, zyrtarë të ambasadës amerikane e kanë njoftuar komandantin e FSK-së, gjeneralin Rrahman Rama, se vizita e gjeneralit Orr, e planifikuar të realizohet më 16-18 shkurt, në 11-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës – është anuluar.
Në një letër informuese, të cilën gjenerali Rama ia ka dërguar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, të premten e kaluar, thuhet se në takimin që komandanti i FSK-së e ka pasur atë ditë me atasheun ushtarak të SHBA-së, majorin Christopher Connor, është njoftuar për anulimin e vizitës së gjeneral majorit Orr, dhe se anulimi është bërë si “rezultat i shprehjes së pakënaqësive ndaj vendimit që ka marrë Qeveria e Kosovës”.
Po ashtu, sipas informatës së gjeneralit Rama, “major Connor ka paralajmëruar se programet trajnuese, edukative, dhe vizitat ushtarake të anulohen në ditët në vijim, në rast se Qeveria e Kosovës nuk reflekton lidhur me vendimin e saj”.
Letra dhe përmbajtja e saj është konfirmuar nga zyra e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
“Po, Gjeneral Rama ka dërguar një letër me të cilën e njofton Presidentin Thaçi se SHBA ka anuluar vizitën e Gjeneralit Orr ndërkohë që po shqyrton edhe disa masa tjera. Ky hap thuhet se është ndërmarrë për shkak të mos-vazhdimit të dialogut me Serbinë”, ka thënë për Koha.net Ardian Arifaj, këshilltar i presidentit Thaçi.
Sipas burimeve, informatën e njëjtë e ka marrë edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj. Por, nga Zyra e Kryeministrit nuk kanë dhënë asnjë përgjigje në lidhje me letrën dhe përmbajtjen e saj.
Ndërsa zëvendës ministri i FSK-së, Burim Ramadani, i kontaktuar nga Koha.net, ka thënë se nuk ka asnjë njohuri për letrën dhe anulimin e vizitës së gjeneral majorit Orr.