Për tre muaj 378 raste me kancer

Prishtinë | 09 Pri 2017 | 14:37 | Nga

Në Klinikën e Onkologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) e cila vepron në kuadër të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, sipas raportit tremujor të punës, ka pasur 378 raste të reja të diagnostikuara me kancer, që i bie 100% raste më shumë, krahasuar më të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, e që si shkas mund të konsiderohet vetëdijesimi apo raportimi i rasteve.

Po sipas raportit tremujor, në këtë klinikë brenda dite trajtohen 120 deri 210 pacientë, nuk ka pasur anjë pacientë të udhëzuar për trajtim jashtë vendi, përderisa janë ofruar rreth 40. 000 shërbime mjekësore dhe 7 000 kontrolle mjekësore. Ka pasur rreth 6500 aplikime të mjekimit venoz ditor dhe rreth 5 500 kimioterapi të aplikuara

Në vitin 2017, Klinika e Onkologjisë, ka funksionuar me kapacitet të plotë, duke pasur në funksion të gjithë aparaturën dhe me një shfrytëzueshmëri të shtretërve 100-200 % (një shtrat është shfrytëzuar nga 1 deri 2 pacientë në ditë), duke ofruar shërbime të kimioterapisë venoze, intrapleurale dhe intratekale, radioterapisë, transfuzionit, mjekimit ditor suportiv dhe mjekimit paliativ ditor.

Shërbim shumë me rëndësi i ofruar nga kjo klinikë është edhe torakocenteza dhe paracenteza (heqja e ujit nga mushkëritë dhe barku). Kjo klinikë gjatë kësaj periudhe ka ofruar shërbime për të gjithë pacientët e Kosovës, përfshirë minoritetet dhe për pacientët jashtë Kosovës siç janë: Presheva, Bujanovci dhe Medvegja, pacientëve nga këto regjione ju janë ofruar të gjitha shërbimet (kimioterapi, radioterapi, transfuzion, mjekim ditor suportiv dhe mjekim paliativ ditor).

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme