Në tremujorin e parë të vitit 2020 (TM1) gjithsej janë regjistruar 2311 ndërmarrje të reja në Kosovë. 213 të këtyre ndërmarrjeve janë nga sektori i ndërtimtarisë apo 9.2 për qind, raporton Ndërtimi.info.
Krahas regjistrimit të ndërmarrjeve të reja, sipas ASK-së, në ndërtimtari janë shuar 42 ndërmarrje gjatë tremujorit të parë të këtij viti.
Në tërësi në tremujorin e parë të 2020-s krahasuar me tremujorin paraprak ( TM4 2019) kemi ulje për 9.94 % të ndërmarrjeve të regjistruara. Ndërsa, krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit paraprak (TM1 2019) ka zbritje për 3.86% të ndërmarrjeve të regjistruara.
Aktivitetet ekonomike më të preferuara gjatë këtij tremujori ishin: Tregti me shumicë dhe pakicë, riparim i mjeteve motorike, motoçikletave me 590 (25.5%), Prodhim me 363 (15.7%), Akomodim dhe aktivitete të shërbimeve me ushqim me 270 (11.7%), Aktivitete profesionale, shkencore dhe teknike me 225 (9.7%), Ndërtimtari me 213 (9.2%), etj.
Sipas të dhënave të ASK-së, nga 213 ndërmarrje të reja në ndërtimtari, 60 janë regjistruar si biznese induviduale, ndërsa 153 biznese jo-individuale. Ndërkaq, më së shumti nga këto ndërmarrje janë në Prishtinë – 36 janë, 15 në Gjilian dhe nga 11 në Fushë Kosovë, Pejë e Prizren. Kurse, ndërmarrje të shuara më së shumti janë në Mitrovicë – 6, Prishtinë e Skenderaj nga 4 dhe në Prizren, Ferizaj dhe Zubin Potok nga 3 ndërmarrje të shuara në ndërtimtari.
Sa i përket shtrirjes gjeografike të ndërmarrjeve të regjistruara në sektorë të ndryshëm, në nivel të komunave ashtu si në çdo tremujorë mbizotëron komuna e Prishtinës me 741 ndërmarrje të regjistruara (32.1%), Ferizaj me 178 (7.7%), Prizreni me 162 (7.0%), Gjilani me 139 (6.0%), Peja me 133 (5.8%), dhe Fushë Kosova 101 (4.4%), ndërsa komunat e tjera kanë numër më të vogël të ndërmarrjeve të regjistruara në këtë tremujor.