Për t’u ndihmuar lojtarëve të depërtojnë në ekipin e parë, Vjosa krijon ekip të juniorëve

Prishtinë | 18 Qer 2020 | 15:28 | Nga Ekonomia Online

Në mënyrë që të rriten gjasat e futbollistëve për t’u ngritur nga akademia e deri te ekipi i parë, klubi Vjosa e ka aktivizuar kategorinë e Juniorëve U-19 për herë të parë.

Pauzën e detyrueshme për tre muaj shkaku i përhapjes së koronavirusit në vend, shkolla e futbollit në Shtime, Vjosa, e shfrytëzoi edhe për të punuar në krijimin e një kategorie të re të grupmoshave.

Koordinatori i shkollës së futbollit dhe trajneri i grupmoshave, Meriton Baftiu, ka treguar se krijimi i kategorisë së Juniorëve U-19 është bërë me qëllim në mënyrë që lojtarët ta kenë më të lehtë rrugën drejt inkuadrimit në ekipin e parë.

“Shkolla e futbollit ‘Vjosa’ asnjëherë më parë nuk e ka pasur kategorinë e Juniorëve U-19 të aktivizuar, prandaj aktivizimi i kësaj kategorie është jashtëzakonisht një lajm i mirë për shkollën tonë”, ka thënë Baftiu, koordinator i shkollës së futbollit dhe trajner i grupmoshave.

“Kjo pasi që talenti dhe motivi për lojën e futbollit nga lojtarët e rinj është jashtëzakonisht i madh në këtë qytet. Në shkollën e futbollit tonë, nxënësit kanë pasur mundësi të luajnë deri në kategorinë Kadet U-17, por pastaj ka qenë e vështirë për ta luajnë në ekipin senior të Vjosës”.

“Shumë të rinj të talentuar në mungesë të kategorisë junior edhe janë shuar. Për ta filluar punën me këtë kategori, përveç dëshirës dhe domosdoshmërisë së saj, kemi pasur edhe përkrahje nga kryetari i klubit Avni Sadiku, si dhe nga gjitha kryesia e klubit”. 

Të ngjashme